Japonia, ekspertët: Mbase po ndodh më e keqja

17/03/2011 15:05

Autoritetet japoneze janë përfshirë në një luftë të dëshpëruar kundër reaktorit bërthamor, ndërsa ekspertët duket se konfirmojnë se më e keqja është duke ndodhur.

Për herë të parë në historinë e njerëzimit, një shtet është duke luftuar një krizë bërthamore duke lëshuar nga lart ujë.

Një masë e tillë do të ishte krejtësisht e panevojshme nëse bërthama e reaktorit do të ishte ende e izoluar në dhomën e saj hermetike.

Sipas specialistëve, të cituar nga BBC, fakti që Japonia është duke përdorur helikopterë tregon se izolimi është dëmtuar dhe kjo u konfirmua edhe më parë gjatë ditës nga drejtori i Agjensisë Bërthamore Amerikane, i cili bëri të ditur se nivele shumë të larta radioaktiviteti po regjistrohen rreth centralit të Fukushimës.

Tentativave nga ajri u janë bashkuar edhe forca zjarrëfikëse nga toka. Me dhjetëra heronj po luftojnë me dëshpërim dhe duke rrezikuar jetën për të evituar një shpërthim bërthamor me pasoja globale. Megjithatë, ka pak gjasa që këto tentativa të jenë rezultative.

Në precedentin e Çernobilit në vitin 1986, Bashkimi Sovjetik tentoi të zbuste krizën duke lëshuar thasë me rerë mbi reaktorin e zhveshur, por kjo nuk solli asnjë dobi, ndërsa disa qindra ushtarë gjetën vdekjen në ato operacione.

Më parë gjatë ditës, Kina lajmëroi për ndërprerjen e ndërtimeve të reaktorëve të rinj, deri në hyrjen në fuqi të masave të reja të sigurisë.

Bilanci aktual i tragjedisë së shkaktuar nga tërmeti me magnitudë 9 të shkallës rihter është prej 5 400 të vdekurish dhe 9 500 të plagosurish.

Top Channel