Efektet e rrezatimeve mbi trupin e njeriut

17/03/2011 16:00

Ndërsa gjendja në centralin atomik të Japonisë po bëhet gjithmonë e më kritike, i gjithë globi është në ankth nga mundësia e lëvizjes së resë radioaktive.

Është e qartë që nëse skenari më i keq do të ndodhë, vendi më i prekur nga dëmtimet e rrezeve radioaktive do të jetë vetë Japonia dhe vendet përreth, por edhe shtete shumë të largëta mund të preken.

Tipikisht, rrezatimet rrisin nivelin e sëmundjeve kancerogjene. Simptomat e tyre nisin disa orë pas ekspozimit dhe kalojnë nga marrje mendsh e të vjellura, deri në vdekje brenda disa ditësh si rrjedhojë e degradimit të të gjithë organizmit.

Rrezatimet maten me njësi radioaktive, që tregojnë se cili është niveli i rrezeve alfa, beta dhe gama, të cilat rrezatohen në një pikë të caktuar. Norma normale është dy njësi.

Aktualisht, në centralin e Fukushimës, doza është disa mijëra njësi dhe ajo vjen duke u zvogëluar në varësi të distancës, por disa kilometra larg ajo mbetet në disa qindra njësi, prapë tepër të rrezikshme për shëndetin.

Tabela e dëmtimeve sipas dozës së marrë të radioaktivitetit
2 njësi radioaktive gjatë jetës – Është doza normale e radioaktivitetit në botë, e cila luhatet nga 1,5-3 në bazë të vendeve të ndryshme.

9 njësi radioaktive – Kjo është doza ndaj të cilës ekspozohen aktualisht ekuipazhet e avionëve që fluturojnë në Japoni. E padëmshme për shëndetin.

20 njësi radioaktive – Kufiri i vendosur i pranueshëm për punëtorët e centraleve bërthamore.

50 njësi radioaktive – Norma e dikurshme e pranueshme për punonjësit. Një njësi e tillë mund të evidentohet në disa miniera uraniumi në botë.

100 njësi radioaktive – Mbi këtë nivel duket qartësisht një rritje e ndjeshme e niveleve të shfaqjes së sëmundjeve kancerogjene.

350 njësi radioaktive – Doza e marrë nga njerëzit e ndodhur në qytetin e Pripiatit, 6 kilometra larg Çernobilit. Për shumë rezultoi fatale, ndërsa gratë me këtë dozë shpesh lindën fëmijë me mutacione gjenetike.

1 000 njësi radioaktive – Simptomat shfaqen brenda disa orëve. Shkakton të vjella, reduktim të ndjeshëm të rruazave të bardha të gjakut. Disa mund të mbijetojnë, por janë të rrezikuar të gjithë jetën nga kanceri dhe sëmundje të tjera.

5 000 njësi radioaktive – Do të vriste çdo qënie të gjallë brenda disa ditësh. Vdekja do të ishte e dhimbshme dhe si rezultat i degradimit të njëkohësishëm të të gjithë organeve bashkë.

Top Channel