Merkel: Epoka e energjisë atomike drejt fundit

17/03/2011 16:10

Kancelarja Gjermane, Angela Merkel, deklaroi se “koha e energjisë bërthamore po përfundon”, pas krizës që ka përfshirë centralin e Fukushimës në Japoni.

Duke mbrojtur mbylljen e shtatë reaktorëve gjermanë njëkohësisht, Merkel parashtroi një program të ri që do të synojë eliminimin gradual të këtij lloji të energjisë, për të kaluar gjithmonë e më shumë drejt energjisë së rinovueshme.

Njëkohësisht, Kryeministrja i bëri thirrje qytetarëve të solidarizohen me “vëllezërit e tyre japonezë” dhe të dhurojnë para në një fond të krijuar për t’i ardhur në ndihmë rimëkëmbjes së vendit aziatik.

Situata e energjisë bërthamore brenda BE-së

Gjermani – Mbyllen njëkohësisht shtatë reaktorë pas ngjarjeve në Japoni

Francë – Shteti më i varur në botë nga energjia atomike do të ndërmarrë testime në 58 reaktorët e tij

Britani – Komisioneri i energjisë flet për “mësime të marra” nga ajo që po ndodh në Fukushima. Nuk është e qartë se çfarë nënkupton ai.

Itali – Katër reaktorët e Italisë u mbyllën pas Çernobilit. Kriza japoneze ka goditur planet për rikthimin e kësaj forme të energjisë.

Zvicër – Rrëzohen projektin e tre reaktorëve, ndonëse ishin miratuar në parlament.

Poloni – E vendosur të vazhdojë punimet për reaktorin e saj të parë.

Rumani – E vendosur të vazhdojë punimet për ndërtimin e dy reaktorëve.

Bullgari – Pezullohen punimet për ndërtimin e një centrali bërthamor, pasi ekspertët e sizmiologjisë paralajmëruan se zona e ndërtimit është sizmike.

Top Channel