Japoni, numri i viktimave i afrohet 7 000

18/03/2011 16:00

Japonia përballet me probleme serioze në administrimin e qindra mijërave të shpërngulurve dhe të pastrehëve, viktima të tërmetit dhe tsunamit më të fuqishëm që ka goditur ndonjëherë vendin, ndërsa bilanci i tragjedisë vazhdon të rëndohet.

Siç raportojnë mediat ndërkombëtare, sfida humanitare me të cilën përballet Tokio zyrtare është kolosale, ndërsa të dëmtuarve direktë nga lëkundja nëntë e shkallës rihter i janë shtuar qindra mijëra të tjerë të evakuar nga krahina e Fukushimës.

Aktualisht, bilanci zyrtar i tragjedisë është mbi 6 900 të vdekur dhe mbi 10 mijë të tjerë të shpallur të humbur.

Përmasat e tragjedisë nuk janë ende të qarta, pasi në shumë zona të shkatërruara nga dallga me lartësi dhjetë metra, të gjitha rrugët e komunikimit janë shkatërruar, duke bërë që forcat e kërkim-shpërtimit të mos kenë akses.

Ende nuk dihet se sa trupa janë në rrënojat e shtëpive të shkatërruara në gjashtë krahina të ndryshme.

Top Channel