Japoni, energjia në central pranë rikthimit

19/03/2011 08:20

Punëtorët janë pranë rikthimit të energjisë elektrike në centralin e dëmtuar bërthamor të Fukushimës, çka mund të mundësojë ftohjen e reaktorëve dhe stabilizimin përfundimtar të situatës.

Ekspertët e kuotuar nga BBC u shprehën optimistë mbi mundësinë e rikthimit të energjisë më vonë gjatë ditës.

Tërmeti shkaktoi dëmtime në sistemin e ftohjes dhe shmangia e një katastrofe bërthamore si ajo e Çernobilit është mundësuar për momentin vetëm falë pompimit të ujit të detit nëpër reaktorë dhe hedhjes së sasive të ujit me helikopterë.

Në këto ditë, si pasojë e dëmtimit të mureve që veshin dhomën e izoluar të reaktorëve bërthamorë, niveli i rrezatimeve është rritur në mënyrë të rrezikshme në një perimetër rreth Fukushimës.

Nga bilanci i deritanishëm i tragjedisë, 7 200 persona kanë vdekur dhe mbi 10 mijë të tjerë janë plagosur, si rrjedhojë e tërmetit dhe tsunamit më të fuqishëm që kishte goditur ndonjëherë Japoninë.

Top Channel