Japoni, rritet bilanci i viktimave

20/03/2011 12:45

Bilanci i viktimave të katastrofës natyrore në Japoni duket i destinuar të rritet në mënyrë dramatike.

Autoritetet njoftuan se vetëm në prefekturën e Miyagit mund të kenë humbur jetën 15.000 vetë. Zyrtartisht, numri i jetëve të humbura nga tërmeti dhe tsunami shkatërrues i 9 ditëve më parë është mbi 8.130.

Të humburit vazhdojnë të jenë me mijëra.

Ekipet e shpëtimit nuk kanë arritur të hyjnë në të gjitha zonat e shkatërruara dhe tani thujase janë shuar shpresat për gjetjen e të mbijetuarve të tjerë. Thuajse gjysmë milioni njerëz kanë mbetur pa shtëpi, qoftë nga tërmeti, apo ngaqë janë larguar të detyruar nga shpërthimet në centralin bërthamor të Fukushimës.
Përpjekjet e shpëtimit janë vështirësuar nga shkatërrimi i infrastrukturës dhe mungesa e karburantit. Qindra mijëra njerëz po jetojnë në streha të përkohshme, në të ftohtë e pa rezerva të mjaftueshme ushqimore.

Nga ana tjetër, situata në kompleksin bërthamor Daichi, vazhdon të mbetet e pastabilizuar. Përpjekjet për ftohjen e reaktorëve të tejnxehur nuk kanë reshtur. Inxhinjerët po punojnë me të gjitha forcat për rikthimin e energjisë elektrike, por edhe nëse ia arrijnë kësaj, thotë korrespondenti i BBC-së në Tokio, nuk ka asnjë garaci se sistemi i ftohjes në central do të funksionojë vërtet.

Në reaktorin numër 3, presioni është rritur sërish, çka tregon se duhen hapur të çara për çlirimin e trysnisë, një procedurë që nga ana tjetër nënkupton lëshimin e materialeve radioaktive bashkë me avullin që do të dalë prej andej.

Sipas ekspertëve, operacioni i improvizuar i lëshimit të ujit me makina zjarrfikëse mund të vazhdojë për muaj të tërë.

Top Channel