Libia, Ashton: S’ka të ardhme me Gaddafi-n

12/04/2011 13:00

Shefja e Politikës së Jashtme të BE, Catherine Ashton, ka folur nga Luksemburgu për situatën në Libi, ku ka ritheksuar qëndrimin e Unionit kundër Muammar Gaddafit.

“Kolonel Gaddafi nuk mund të garantojë asnjë të ardhme për Libinë. Për këtë Bashkimi Evropian është shumë i qartë”, ka deklaruar Ashton.

“Ne duam një të ardhme paqësore dhe demokratike për Libinë dhe Gaddafi nuk mund ta garantojë këtë”, ka pohuar ajo, në kuadër të mbledhjes së ministrave të Jashtëm të BE.

Ndërkohë, ministri i Jashtëm britanik, William Hague u është bashkuar kritikave që homologu francez Alain Juppe i ka bërë NATO-s për situatën në Libi.

“NATO duhet të intensifikojë përpjekjet e tij në Libi”, është shprehur shefi i diplomacisë britanike. “Në Libi nuk mund të ketë të ardhme pa daljen nga skena të Gaddafi-t”, ka vijuar ai duke hyrë në këshillin e jashtëm të BE-së, në Luksemburg.

Ndërkohë, Organizata Botërore për Emigracionin ka njoftuar nisjen e një operacioni për evakuimin e mijëra punëtorëve të huaj të bllokuar në Misrata të Libisë.

Top Channel