Shqipëria, Lajcak raporton në PE

13/04/2011 20:05

Drejtori menaxhues për Ballkanin, Miroslav Lajcak raportoi në komitetin e jashtëm të Parlamentit Europian. Për Shqipërinë ai theskoi se mungesa e dialogut politik po mban peng reformat e nevojshme për integrimin europian të vendit.

“Vazhdoni të dërgoni mesazhe, sidomos mbi domosdoshmërinë e një dialogu politik, pa të cilin nuk mund të ketë një jetë normale politike në vend. Së dyti, tregoni që këto zgjedhje duhet të jenë të lira e të ndershme. Sa më shumë që të jetë e mundur. Politikanët vendas e dinë shumë mirë se cfarë duhet për t’i zhvilluar ato të lira e të ndershme. Ky duhet të jetë presioni që këtej, në mënyrë që t’u bëhet e qartë atyre se ne po i ndjekim nga afër dhe se shumë varet nga mbajtja e këtyre zgjedhjeve”, i ka thënë Lajcak europarlamentarëve.

Këta të fundit kanë reaguar më radhë lidhur me situatën në Shqipëri.

Eduard Kukan, kreu i Delegacionit për Ballkanin në PE: Në Shqipëri, gjithësekush nga ne investoi shumë për të ndihmuar politikanët shqiptarë që të kapercenin këtë krizë politike që po rrëzon të ardhmen. Dhe pa e zgjidhuar atë me mjete politike do të jetë vërtet shumë e vështirë që të flisnim për të ardhmen, e për më shumë për progresin.

Viktor Bostinaru: Në rastin e Shqipërisë, ne dukshëm dështuam të flisnim njëzëri. Rezultati është i keq, për të mos thënë shumë i keq. Sic e dini, së fundmi ka ndryshuar dhe rregullorja e Kuvendit të Shqipërisë. Me këto rregullat e reja, që janë tërësisht zbulim i ri, në fillim votohet ligji, e më pas mund të debatosh mbi të! Është krejt një vizion i ri ky dhe ju duhet të shpreheni për të.

Jelko Kacin: Duhet t’iu bëjmë gati dicka, sepse ata janë të pazotë që të arrijnë cfarëdolloj gjëje. Ne duhet të depërtojmë.

Nicholaos Chountis: Në Shqipëri, fushata elektorale nuk më duket e paanshme, ka patur madje dhe raste të dhunshme, ndaj shqetësohem. A vërtet mendoni se këto zgjedhje do të jenë demokratike? Cfarë mendoni ju për drejtuesit lokalë atje? Cfarë presin ata prej nesh, që të zgjidhim problemet në vend të tyre?

Lajcak: Njerëzit presin nga Bashkimi Europian një perspektivë të mirë e të qartë. Në kuptimin që ne nuk mund të ndryshojmë qëllimin tonë në fund të procesit, nuk mund të shtojmë kushte të tjera. Duhet t’i bëjmë të qarta ato cfarë nevojiten, sic e bëmë shumë mirë me cështjen e vizave, ku kishte një udhërrëfyes që përcaktonte pastër cfarë duhej bërë për të marrë liberalizimin. Ne duhet t’i ndihmojmë ata që t’i europianizojmë dhe jo të bëhemi instrumenta për interesat e tyre të brendshme.

I dërguari i posacëm i përfaqësueses së larte të BE-së për zgjidhjen e krizës në Shqipëri, Miroslav Lajcak, ka refuzuar ndërkohë që të zërë vendin e Piter Feith, si përfaqësuesi kalimtar i BE-së në Prishtinë, deri në emërimin e zyrtarit të ardhshëm. Mësohet se për këtë vendim ka ndikuar dhe fakti se shteti i zotit Lajcak, Sllovakia, nuk ka njohur ende zyrtarisht pavarësinë e Kosovës.

 

Përgatiti: Arta Tozaj

Top Channel