Përgënjeshtrimi i Berluskonit

15/04/2011 16:50

Gjatë një takimi me një grup të vogël gazetarësh të huaj të akredituar në Itali kryeministri italian Silvio Berlusconi deklaroi se është i gatshëm të mos hedhë kandidaturën për zgjedhjet e ardhshme, në program në vitin 2013.

Ai tha “nëse do të ketë nevojë për mua si babai shpirtëror, jam i gatshëm. Mund të jem kryetar liste në partinë time, por nuk dua një rol operativ”.

E ai përmendi Angelino Alfanon, ministri aktual i Drejtësisë si pasardhësin e tij të mundshëm.

Ndërsa si president të ardhshëm të Republikës tha se mund të jetë Gianni Letta, nënsekretari i Kryeministrisë.

Lajmi bëri xhiron e botës për pak orë, por më pas zëdhënësi i kryeministrit Paolo Bonaiuti deklaroi se “një gjë është një arsyetim që duhej futur në një kontekts, e tjetër gjë është marrja e atij arsyetimi si gjë absolutisht të sigurt”.

Nga Berlini ministri Alfano, i pyetur mbi këtë çështje tha se nuk ka marrë asnjë dorëzim stafete, se ajo e Berlusconit ka qenë thjesht diçka e thënë në një darkë, një vlerësim nga ana e kryeminisitrit për të.

Nuk është hera e parë që Berlusconi thotë se nuk do të rikandidojë. Por këtë herë vështirë se kuptohet nëse deklarata e tij ka qenë një vendim i marrë, apo thjesht një hipotezë e hedhur në një darkë jo zyrtare.

Top Channel