Libi, artileri e rëndë ndaj Misratës

16/04/2011 14:35

Forcat besnike ndaj kolonelit Muammar Gaddafi kanë lëshuar mbi 100 raketa të shkatërrimit në masë në qytetin e Misratës, në atë që përbën ditën e tretë të bombardimit të rëndë të vatrës së vetme rebele në perëndimin e Libisë.

”Associated Press” njoftoi ngjarjen gjatë drekës, duke iu referuar fjalëve të një zëdhënësi të kryengritësve.

”Trupat e Gaddafi-t qëlluan me raketa të kalibrit të rëndë zonën industriale të qytetit herët në mëngjes, ndërsa të paktën 100 raketa u lëshuan. Nuk e dimë ende se sa kanë vdekur apo plagosur në këtë sulm”, deklaroi përfaqësuesi i rebelëve, Abdelbasset Abu Mzereiq.

Një ditë më parë, “Human Rights Watch” deklaroi se kishte prova që forcat e kolonelit kishin nisur të përdornin raketa thërrmuese, të ndaluara për dëmin e madh që arrijnë të shkaktojnë midis civilëve.

Mussa Ibrahim, një zëdhënës i qeverisë libiane, hodhi poshtë këto pretendime, duke thënë: “I sfidoj ata që të provojnë akuzat që ngrenë”.
 

Top Channel