Greva e invalidëve, dy persona rëndë

16/04/2011 16:10

Edhe pse vetëm në ditën e tretë, ka shkuar në dy numri i grevistëve që largohen për të marrë mjekim në spital për shkak të gjendjes së rënduar shëndetësore.

Pak caste para se të mbërrinte urgjenca, një grevist tha se kishte tensinon të lartë dhe se kishte një gjendje të rënduar shëndetësore.

“Sot kam pasur tension të lartë dhe komplikacionet janë shtuar. Nuk kam qenë në rregull, por grevën do ta vazhdoj derisa të zgjidhim hallet tona”, ka deklaruar ai.

Qëndrimi në këtë grevë për tetë gratë dhe 16 burrat është shumë i vështirë, por ata janë të vendosur të sakrifikojnë derisa qeveria të dëgjojë kërkesat e tyre.

“Të gjithë grevistët nuk ikin nga greva pa u prononcuar qeveria, apo dikasteret përkatëse për problemet tona. Sikur të gjithë deputetët të kishin pasur vullnetin të ngrinin në Parlament problemet tona, sot ne nuk do të ishim në grevë”, deklaron një prej grave greviste.

Në ambjentet e kësaj greve qëndron edhe një mjek fizioterapist, i cili është solidarizuar me kërkesat e grevistëve.

Ai saktëson se është domosdoshmëri qëndrimi i një mjeku këtu. “Janë 4-5 vetë që kam parë dhe kushtet janë të vështira. Këtu duhet patjetër një mjek”, thotë ai.

Para dhe tetraplegjikët saktësojnë se kjo është një grevë ekonomike që lidhet direkt me jetesën dhe gjendjen e tyre shëndetësore.

Top Channel