Vijon procesi i numërimit

09/05/2011 00:00

Vijon procesi i numërimit të fletëve të votimit, proces ky që po mbahet në një pjesë të vogël të KZAZ-ve në shkallë republike, duke dhënë rezultate paraprake në disa bashki kryesore të vendit.

Kështu sipas raportimeve, në Elbasan, kur janë numëruar 6 kuti vihet re një diferencë prej 421 votash në favor të kryetarit aktual dhe kandidatit të Partisë Socialiste, Qazim Sejdini. Edhe në Fier vijon procesi i numërimit, ku sërish kandidati socialist, Baftjar Zeqaj ndodhet në avantazh kundrejt rivalit të tij, Ilir Bejle. Në Lushnje kryetari aktual kryeson përballë ndaj rivalit Sanxhaku. Në Vlorë kur është numëruar vetëm kutia e parë, Shpëtim Gjika kryeson me 415 vota kundrejt 310 të rivalit demokrat, Ardian Kollozi.

Ndërkohë në Berat, kandidati demokrat udhëheq me 635 kundrejt rivalit socialist me 437.

Numërimi ka nisur edhe në Lezhë, ku përpara ndodhet kandidati i LSI-së mbështetur nga “Aleanca për Qytetarin”.

Ndërkohë, në një pjesë të konsiderueshme të KZAZ-ve është vendosur që numërimi të nisë në orën 07:00 të ditës së sotme.

Vijon procesi i numërimit të fletëve të votimit në Vlorë e Korcë.

Në Vlorë, kur janë numëruar 5 kuti, kryetari aktual dhe kandidati i Partisë Socialiste për një tjetër mandat, Shpëtim Gjika kryeson me 1792 vota kundrejt 1532 të rivalit të tij demokrat Ardian Kollozi.

Ndërkohë, në Korcë, kandidati i Partisë Demokratike, Andrea Mano, kur janë numëruar katër kuti, Niko Peleshi i PS ka marrë 956 vota dhe rivali tij demokrat, Andrea Mano 851.

Në Bashkinë e Himarës, sipas rezultateve paraprake që publikon KQZ, kur janë numëruar 3 kuti me fletë votimit, kandidati i Partisë Socialiste, Jorgo Goro, udhëheq me 191 vota, i ndjekur nga ai i Partisë Demokratike me 115 vota për të ardhur më pas tek kryetar aktual dhe kandidati i PBDNJ-së për një tjetër mandat, Vasillaq Bollano me 110 vota. Vetëm 4 vota ka marrë deri në këto momente kandidati i partisë MEGA.

Numërimi vijon edhe në Kamëz ku pas hapjes së katër kutive kandidati i Partisë Demokratike, Xhelal Mziu udhëheq me 983 vota kundrejt 936 të kandidatit socialist, Rakip Suli, ndërsa në Sarandë Stefan Çipa i Partisë Socialiste udhëheq ndaj rivalit demokrat, Edmond Gjoka

Në Kukës kandidati i PD-së, Hasan Halilaj, udhëheq me 1455 kundrejt 1000 të rivalit socialist, Alfred Cengu kur janë numëruar 5 kuti.

Top Channel