PS: Bllokim politik në njësinë numër 5

10/05/2011 14:15

Partia Socialiste ka akuzuar numëruesit demokratë në KZAZ-në numër 49 të njësisë bashkiake numër 5 të kryeqytetit se po bllokojnë qëllimisht numërimin.

Në një deklaratë për mediat, deputetja Mimi Kodheli është shprehur se motivet e këtij bllokimi janë sa absurde, aq edhe politike.

Sipas saj, përgjegjëse për këtë situatë të rëndë është edhe KQZ, që sipas saj nuk po merr masat e duhura për të zgjidhur problemin.

“Përfaqësuesit tanë në KZAZ-në numër 49, njësia 5, na thonë se komisionerët e PD po bllokojnë procesin e numërimit. Kjo është e pajustifikueshme, por fakti më i rëndë është edhe mënyra se si po sillet KQZ, që vazhdon të injorojë atë që po ndodh në njësinë numër 5”, ka deklaruar Kodheli.

“Bllokimi i procesit nuk vjen për arsye teknike, por politike. Të gjithë jemi dëshmitarë të arsyeve absurde që po përdoren nga demokratët për të bllokuar numërimin e votave, kur rezultati është në favor të kryetarit të bashkisë së Tiranës”, ka vijuar ajo.

Deputetja socialiste i ka bërë thirrje KQZ-së që të marrë ndaj komisionerëve demokratë të njëjtat masa që ka marrë ndaj atyre socialistë kur kanë kryer shkelje.

Top Channel