Ndreca: Nuk jemi në shkelje

07/06/2011 20:00

Gjyqtari Tom Ndreca, relatori i Kolegjit Zgjedhor që rrëzoi një pjesë të padisë së Partisë Socialiste për procedurën e ndjekur nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve për rezultatin e Tiranës, në një intervistë dhënë posacërisht për Top Channel, deklaron se Kolegji është ende duke punuar për argumentimin e vendimit dhe se nuk mendon se është në shkelje të ligjit.

“Deri në këto momente, në vendimin e Kolegjit Zgjedhor të datës 3 i gjashti 20011, është duke u punuar nga ana e anëtarëve të Koelgjit Zgjedhor dhe është drejt fundit të tij. Aktualisht, sic e morët vesh, u hodh edhe shorti i një kërkese-padie të re që do gjykohet. Kjo bëri që të vijnë edhe gjyqtarët nga rrethet që janë pjesë e Kolegjit. Vendimi duhet të ishte nga gjithë pjesa arsyetuese e tij e më pas nënshkruhet e dorëzohet për t’u vënë në dispozicion të palëve”, deklaron Ndreca.

Por, gjyqtarët në rrethe nuk janë e vetmja arsye. “Jo, nuk është vetëm kjo arsyeja. Arsyeja është edhe koha e shkurtër. Fakti është se gjyqi është bërë të premten, vendimi u shpall në orën nëntë të darkës, ndërsa e shtuna dhe e diela janë ditë pushimi. Afati është tre ditë. Aktualisht është drejt fundit sepse secili duhet të arsyetojë pjesën e tij. Por ata ishin në rrethe”, nënvizon Ndreca.

Gjyqtari Ndreca shprehet se kohëzgjatja e arsyetimit të vendimit është bazuar në Kodin e Procedurës Civile.

“Në gjykimin tim nuk ka shkelje. Vërtet Kodi Zgjedhor parashikon tre ditë afat, por duke iu referuar Kodit të Procedurës Civile, ne themi se jemi brenda afateve për dorëzimin e këtij vendimi të arsyetuar, sepse vendimi do kohë për t’u arsyetuar dhe për t’ua vënë në dispozicion palëve”, thotë ai.

I pyetur lidhur me presionin politik që mund të ketë patur Kolegji, Ndreca shprehet se nuk e ka ndjerë atë.

“Unë flas për veten time. Nga ana ime s’ka paur asnjë lloj presioni. Cështja është vlerësuar maksimalisht nga ana e Koelgjit. Jemi përpjekur t’i japim zgjidhje ligjore. Sipas kërkesë-padisë, Kolegji vendosi rrëzimin e kërkesës për deklarimin si absolutisht të pavlefshëm të aktit, bëhet fjalë për vendimin numër 709 dhe pushoi cështjen për vendimmarrjet e tjera që ishin vendime të ndërmjetme dhe u konsideruan si vendime që kanë qenë bashkë me vendimin përfundimtar”, sqaron Ndreca.

Ndërkohë, është hedhur edhe shorti për Kolegjin që do të shqyrtojë padinë e tretë të Partisë Socialiste për cështjen në themel të rezultatit të Tiranës. Relatore e cështjes do të jetë Dhurata Haveri, ndërsa anëtarë të Kolegjit janë: Sashenka Jonuzi, Mari Qiriazi, Meriban Mullai dhe Astrit Kalaja.

Top Channel