Padia e plotë e PS

07/06/2011 20:20

Partia Socialiste depozitoi pranë Kolegjit Zgjedhor kërkesë-padinë që synon rrëzimin e vendimeve të KQZ, që nxjerrin Lulzim Bashën fitues të zgjedhjeve në kryeqytet.

Në kërkesën e sigluar nga kryetari i Partisë Socialiste Edi Rama, thuhet se KQZ-ja me veprimet e kryera ka cënuar një tërësi të standarteve kushtetuese, që lidhen me parimin “për një proces të rregullt”, si dhe me parimin e “sigurisë juridike”, parimin e “barazisë së votës”, “fshehtësisë së votës” dhe “lirinë e votuesve për të shprehur lirisht vullnetin e tyre”.

Në kërkesë-padi thuhet se, KQZ gjatë gjithë procesit administrativ ka cënuar të drejtën për një proces të rregullt dhe ligjor, që lidhen me parimet e sipërpërmendua dhe vecanërisht me kompetencën, juridiksionin dhe paanshmërinë e organit, marrjen e atributeve të organeve të tjera, procedurën ekstraligjore të ndjekur, mosarsyetimin e vendimeve nga organi kompetent, thelbin e së drejtës së ankimimit.

“Për këto arsye, si dhe për shpjegime e fakte të tjera që do të mund të paraqesim në seancën gjyqësore, ne kërkojmë: Gjykimin e cështjes në themel dhe pranimin e kërkesë-padisë sipas objektit”, thuhet në ankimimin e PS.

Socialistët e padisin KQZ-në në Kolegj dhe kërkojnë shfuqizimin e vendimeve të saj që rrëzuan kërkesat ankimore të paraqitura në datat 2 qershor dhe shfuqizimin e të gjitha vendimeve të marra nga KQZ për nxjerrjen e rezultatit përfundimtar për kryetarin e bashkisë së Tiranës, si vendime në kundërshtim flagrant me ligjin, shkruhet në këtë kërkesë-padi. Socialistët në argumentet që japin për Kolegjin thonë se, problemet nisën që në datën 16 maj kur KZAZ-ja numër 49, e njësisë 5 në Tiranë, vendosi të mos miratojë tabelën përmbledhëse të rezultatit për kryetarin e bashkisë.

Shkeljet, sipas socialistëve, janë thelluar duke mbërritur deri në KQZ. Edhe vetë ky institucion, me vendimin e datës 23 maj, shkeli ligjin sepse nuk pasqyroi rezultatin e zgjedhjeve sipas përcaktimeve që jep Kodi Zgjedhor.

“Në rastin konkret rezulton e provuar se me vendimin 711, datë 23 maj, KQZ ka shpallur një rezultat për zonën zgjedhore Bashkia Tiranë, por duke u ndryshuar të gjitha vendimet e marra nga KZAZ-të, ndryshim që është bërë pa asnjë vendim sipas Kodit Zgjedhor. Rrethanë për të cilat vendimi 711 rezulton të jetë haptazi në kundërshtim me ligjin”, thuhet në kërkesë-padi.

Socialistët akuzojnë KQZ se nuk ka respektuar as vendimet e marra prej vetë këtij institucioni dhe që lidhen me procedurat e nxjerrjes së tabelave të rezultateve.

Sipas socialistëve, dy vendimet që cuan në ndryshimin e rezultatit në Tiranë bien në kundërshtim me Kodin Zgjedhor dhe se KQZ ka tejkaluar kompetencat duke ndryshuar tabelat e rezultateve në një kohë që ligji lejon vetëm korrigjime të gabimeve materiale.

Ndërkohë, edhe gjithë procesi hetimor që coi në gjetjen dhe numërimin e votave të hedhura gabim, të cilat sipas Kodit Zgjedhor janë të pavlefshme.

Një nga faktet më të forta që socialistët përdorin në padinë e tyre është se në asnjë prej 117 kutive votat nuk përputhen me numrin e zgjedhësve. Behet fjalë për 357 fletë votimi më shumë.

Top Channel