Rama: Drejtësi deri në fund

14/06/2011 15:30

“Dje ne nuk morëm drejtësinë që kërkuan”. Me këto fjalë Edi Rama ka përshkruar vendimin e djeshëm të Kolegjit Zgjedhor të cilin e ka cilësuar si të turbullt nga ku  duket se pranohen një pjesë e pretendimeve të Partisë Socialiste. (UPDATE)

Sipas zotit Rama ky vendim vulosi padrejtësinë, degjeneroi procesin pas bërjes publike të votave të cilat e shpallën atë fitues.

”Kolegji s’pati kurajon të shohë në sy të gjithë të vërtetën, por njëkohësisht nuk mbylli plotësisht sytë përpara rezultatit të manipuluar të KQZ-së që nxorri humbësin fitues dhe nuk pranoi të vulosë atë. Sot procesi është rikthyer në tavolinën e kanibalizmit elektoral, aty ku u grabit fitorja jonë në sytë e të gjithëve dhe ku u prodhua tabela e turpshme e një rezultati, jo vetëm me më shumë vota se sa zgjedhës, por edhe me më shumë vota se sa tërësia e fletëve të votimit të gjetura në kuti”, tha Rama.

Lideri socialist ka theksuar se ai dhe forca politike që drejton nuk do të heqin dorë duke i shkuar deri në fund rrugës ligjore. Gjithashtu zoti Rama ka shprehur skepticizëm ndaj KQZ-së duke e cilësuar edhe numerimin që pritet të zhvillohet si vazhdën e një kanibalizmi me votat e shqiptarëve dhe kutitë ku ata shprehën vullnetin e tyre politik

“Një gjë është e sigurt, grabitësit e dhunshëm të këtyre zgjedhjeve mund t’i shpëtojnë shumë gjërave dhe mund të dhunojnë hapur edhe vetë aritmetikën për të vulosur si fitore humbjen që e pa dhe e di gjithë bota, por asnjëherë ky popull s’do t’i shohë ata si fituesit e 8 majit të shkuar në Tiranë. Në fituam në fushën e garës dhe si fitimtarë në Tiranë dhe gjithë Shqipërinë kemi të gjithë përgjegjësinë për të ndërtuar aksionin e mëtejshëm opozitar në funksion të shpëtimit të demokracisë, clirimit të drejtësisë dhe të rimëkëmbjes së ekonomisë”, deklaroi kreu socialist.

Për situatën post-zgjedhore Edi Rama tha se ajo cfarë po ndodh, është një shembull kuptimplotë për domosdorshëmrinë e largimit një orë më parë të pushtetit.

Nga selia rozë Rama ka premtuar vijimin e betejës opozitare në cdo front por nuk ka dhënë detaje se si do të jenë format e kësaj beteje, duke paralajmëruar kështu, një verë jo vetëm të nxehtë nga temperaturat, por edhe në situatën politike në vend.

Top Channel