NATO në krizë financiare

16/06/2011 20:40

Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Anders Fog Rasmusen u kërkoi vendeve anëtare të Aleancës të shpenzojnë me shumë për mbrojtjen.

Ai e rendit Shqipërinë krah Francës, Britanisë së Madhe dhe Greqisë, vende që sipas tij plotësojnë kriterin për të paguar 2% të Produktit Kombëtar Bruto për Mbrojtjen.

Në një intervistë për emisionin e BBC-së “News Night” Anders Fog Rasmusen e quan Shqipërinë si një model brenda Aleanca në përmbushjen e detyrimeve të saj.

“Libia dëshmoi të meta serioze – tha ai. Vetëm 11 javë – operacione kundër një rregjimi jo shumë të armatosur, aleatët nisën të kenë mungesa në municione dhe furnizimet na erdhën nga Shtetet e Bashkuara”.

Anders Fog Rasmusen tha se NATO është më e domosdoshme se kurrë, duke ndarë të njëjtin shqetësim me sekretarin amerikan të Mbrojtjes, Robert Gates për rënien e buxheteve të mbrojtjes në Europë.

“Nëse Europa kërkon një rol domethënës në arenën botërore dhe të marrë pjesë në misionet ndërkombëtare – nenvizoi ai – atëherë ajo ka nevojë për armatime dhe për këtë duhen investime për mbrojtjen në një nivel të caktuar”.

Një javë më parë gjatë vizitës në Bruksel, Gates paralajmëroi vendet e NATO-s për dobësimin e konsiderueshëm të Aleances si pasojë e mungesës së angazhimit.

“Ndarja e pabarabartë e kostove, mund të detyrojë SHBA-në të dalë nga NATO”, tha Gates.

Top Channel