Kolegji: Të hapen kutitë

16/06/2011 23:00

Në limitin e afatit, Kolegji Zgjedhor ka publikuar arsyetimin e vendimit të marrë ditën e hënë në datë 13 qershor. Kolegji Zgjedhor ka rrëzuar disa vendime të KQZ-së mes të cilave atë 827 në pikat dy dhe tre. (UPDATE)

Këto dy pika kanë lidhje me mosnxjerrjen e rezultatit të votimit në ZAZ-në 49, ndryshe e njohur si njësia numër 5, ndërsa pika tre ka të bëjë me mosnxjerrjen nga ana e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve të tabelës përfundimtare të rezultatit për Bashkinë e Tiranës. Pika këto të ankimuara nga Partia Socialiste dhe të hedhura poshtë në mënyrë të padrejtë, sic thuhet në arsyetim, nga KQZ.

Kolegji më tej arsyeton edhe vendimin tjetër atë për vlerësimin e të gjitha votave të hedhura në kutitë e gabuara, pavarësisht se ku ndodhen ato dhe tabulimi i tyre në tabelën përmbledhëse garanton barazinë e votës, shqyrtimin e barabartë dhe të njëtrajtshëm dhe leximin e vullnetit të shprehur nga zgjedhësit.

Vendimi numër 711 i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, vijon Kolegji, ai që shpalli rezultatin e ndryshuar për Tiranën është në rrjedhojë e veprimeve në kundërshtim me ligjin, pasi ky vendim nuk pasqyron rezultatin e zonës zgjedhore Tiranë.

Vendimet numër 710 të datës 23 maj dhe 711 po të kësaj date janë në kundërshtim me ligjin dhe me faktin se në të dyja rastet, KQZ-ja ka realizuar një procedurë të ndryshimit të tabelave të rezultateve me një vendimmarrje që vjen në kundërshtim me procedurën e parashikuar nga neni 123 i Kodit Zgjedhor.

Sipas Kolegjit Zgjedhor, KQZ ka shkelur parimin për vlerësim e barabartë të votës në ruajtjen e një standarti në hetimin administrativ, pasqyrimin e vullnetit të cdo zgjedhësi që shprehet me votën e tij. Sipas Kolegjit fletët e hedhura gabim deri më datë 14 maj, moment kur përfundoi numërimi i votave për kryetar të Bashkisë Tiranë, janë konsideruar nga numëruesit e subjekteve zgjedhore palë në proces, si të pavlefshme e pas kësaj date janë konsideruar si të kontenstuara.

Sic u konstatua, thuhet më poshtë gjatë hetimit gjyqësor kjo provon faktin e mungesës së shënimeve në librat e protokollit të 11 KZAZ-ve të Bashkisë së Tiranës për fletët e hedhura gabim në kutitë e gabuara deri në datë 14 maj.

Kolegji cmon se statusi i këtyre fletëve të cilat nuk janë të kontestuara më parë, pasi me konsensus janë trajtuar si të pavlefshme të konsiderohen si fletë të kontestuara të panumëruara më parë.

Pikërisht për këtë pikë Kolegji i imponon KQZ të hapë, të rinumërojë dhe të rivlerësojë votat e kontestuara në kutitë e pahapura për Bashkinë e Tiranës në 368 QV për kryetarin e Bashkisë Tiranë, këshillin e bashkisë Tirane, kryetarin e njësisë bashkiake dhe këshillin e njësisë bashkiake për votat që nuk janë hedhur në kutinë respektive të së njëjtës qendër votimi dhe mbi bazën e tyre të shpallet tabela përmbledhëse e rezultateve.

Përsa i përket mosrakordimit të shifrave Kolegji verën se kjo ka ardhur pikërisht për shkak të hetimit të pjesshëm, vetëm mbi 117 kuti.

Top Channel