Tahiri: Ristani shtrembëroi procesin

16/06/2011 23:10

Opozita pretendon se ndryshimi i rregullave gjatë procesit të numërimit ishte tërësisht manipulativ.

Deputetit socialist, Sajmir Tahiri tha se mospërputhjet nisën pikërisht kur mbi proces vuri dorë Ristani.

“Para ndërhyrjes së Ristanit, numri i fletëve të votimit në kuti përputhej me numrin e zgjedhësve, por pas ndërhyrjes së Ristanit, ky numër nuk përputhej më. Në disa qendra votimit, numri i fletëve të gjetura në kuti ishte më i madh se numri i zgjedhësve”, tha Tahiri.

Pretendimi i deputetit socialist u hodh poshtë nga analisti, Artan Hoxha i cili tha se mospërputhja vjen nga numërimi i fletëve të kontestuara. Sipas zotit Hoxha nëse procesi bëhet gjithëpërfshirës, nëse rishikohen të katra kutitë, numri i fletëve të votimit do të përputhet me atë të votuesve.

Por përse socialistët nuk kërkuan Kolegjit pavlefshmëri të procesit zgjedhor në Tiranë? Kësaj pyetje iu përgjigj deputeti Tahiri.

“Kemi kërkuar me kohë që procesi të kthehet në rrugën ligjore, ndaj s’kemi kërkuar pavlefshmërinë e votimit në Tiranë. Kolegji Zgjedhor nuk dha drejtësi, por urdhëroi KQZ-në të shtrijë padrejtësinë e saj në të gjitha kutitë”, tha zoti Tahiri.

Ndërsa deputeti demokrat, Enkelejd Alibeaj tha se vendimi Kolegjit është i qartë, ai tha zoti Alibeaj shtrihet në kutitë për anëtarët të këshillit të njësisë bashkiake, të këshillit bashkiak, të kryetarëve të njësive bashkiake dhe në kutitë e kryetarit të Bashkisë së Tiranës ku ka mospërputhje.

Top Channel