KQZ, nis mbledhja për këshillin bashkiak

11/07/2011 18:25

Në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve ka nisur mbledhja për shqyrtimin e tabelave të Këshillit Bashkiak të Tiranës.

Në hapje të seancës, kryetari Arben Ristani ka vlerësuar procesin e menaxhuar nga KQZ dhe vendimet e Kolegjit Zgjedhor.

“Vendimi tregoi se shteti ligjor në Shqipëri funksionon dhe po konsolidohet”, ka deklaruar Ristani.

Por përfaqësuesi i PS, Eridian Saliani nuk ka qenë i të njëjtit mendim. Ai ka akuzuar Ristanin dhe komisionerët demokratë se kanë abuzuar me shifrat.

“Ju keni abuzuar me shifrat, të cilat janë vendosur në tabelë në mënyrë alogjike”, ka pohuar Saliani.

Por komisioneri demokrat Njazi Kosovrasti ka reaguar duke deklaruar se tabela e miratuar nga KQZ është tërësisht ligjore, pasi gjatë shqyrtimit të saj komisionerët socialistë nuk bënë asnjë ankesë në instancat gjyqësore.

“Kjo tabelë është miratuar me vendim të KQZ dhe nuk mund ta hedhë poshtë askush. Nëse komisionerët e PS kishin pakënaqësi, ata mund të ankoheshin në Kolegj, por nuk e bënë këtë. Përderisa nuk ka një ankim, kjo do të thotë se ky vendim është marrë nga të gjithë ne”, ka nënvizuar Kosovrasti.

Top Channel