Meta: Prokuroria, celulë politike ekstremiste

12/07/2011 11:00

Ish-zëvendëskryeministri Ilir Meta përshëndeti vendimin e Gjykatës së
Lartë, ndërsa sulmoi prokurorinë se ka vepruar si celulë politike
ekstremiste për ta dëmtuar kreun e LSI-së dhe forcën politike që ai
drejton.

“Prokuroria nuk ka patur qëllim të zbardhë cështjen, por ka vepruar kundër vetëm për arsye elektorale. Prokuroria ka shpërdoruar dhjetëra mijëra dollarë për ekspertiza të qëllimshme, të paligjshme dhe të pavlefshme”, tha Meta.

Sipas tij, organit të akuzës i është ndaluar të zbardhte të vërtetën, sepse nuk mund të dilte e vërteta para zgjedhjeve të 8 majit.

Kreu i LSi-së theksoi se do të shfrytëzojë legjislacionin shqiptar dhe evropian për të fituar ndaj prokurorisë, që sipas tij, ka kryer vepra penale ndaj tij.
 
Një ditë më parë Kolegji Penal i kryesuar nga Adrian Dvorani ka dhënë vendimet për kërkesat paraprake të mbrojtjes, duke rrëzuar atë më kryesoren, të pushimit të cështjes penale.

Ish-zëvendëskryeministri dhe ish-ministri i Ekonomisë Ilir Meta, akuzohet nga prokuroria për korrupsion aktiv, akuzë kjo që ka lidhje me video regjistrimin e kryer nga Dritan Prifti gati një vit më parë.

Seanca e radhës në 22 korrik do të fillojë me një listë dëshmitarësh, ku i pari në radhë do të jetë zoti Prifti, i cilësuar si dëshmitari kryesor në këtë cështje dhe me radhë pas tij një numër biznesmenësh, si Rezart Taci, vëllezërit Ymer e Skënder Tola, Agim Rrapaj, e të tjerë.

Prokurorisë i janë pranuar të gjitha provat e tjera si videoregjistratori i zotit Prifti, apo edhe transmetimi i videos në emisionin “Fiks Fare” në Top Channel, si dhe i gjithë dokumentacioni përkatës i tenderave të zhvilluar në Ministrinë e Ekonomisë.

Ndërsa mbrojtjes i është pranuar një ekspertim i videoregjistruesit dhe regjistrimit i bërë në Itali, si dhe procedura e kërkesës së prokurorisë në vitin 2002 për heqjen e imunitetit të zotit Prifti.

Top Channel