Kryeparlametari i Kosovës Jakup Krasniqi ka përgatitur një përgjigje për EULEX-in sa i përket miratimit të një rezolute për heqjen e imunitetit të disa deputetëve nën hetim.

Të martën ai ka paraqitur para anëtarëve të kryesisë letrën që i ka kthyer shefit të EULEX-it Ksavier But de Marnak lidhur me kërkesën e këtij të fundit për heqjen e imunitetit.

Pas konsultimit me zyrën ligjore të Kuvendit Krasniqi i ka sqaruar shefit të EULEX-it se nuk është përgjegjësi e Kuvendit që të merret me çështjen e imunitetit dhe se duke u bazuar në Kushtetutë, qeveria vetë mund të kërkojë nga Gjykata Kushtetuese interpretim për imunitetin e deputetit.

“Në rastin konkret, do të ishte normale që qeveria e cila ka shprehur interes për një rezolutë të tillë, ta paraqesë këtë iniciativë në Kuvend dhe Kryesia e Kuvendit do ta trajtojë atë sipas rregullores së Kuvendit dhe shqyrtimi i saj do të bëhet në pajtim me rendin e përcaktuar në rregulloren e Kuvendit”, thuhet mes tjerash në letrën e Krasniqit.

Me tej kryeparlamentari shkruan se, një rezolutë e tillë do të ishte në vetvete një akt antikushtetues. Ndërkohë kryeministri Thaçi thotë se, është i gatshëm për bashkëpunim.

Megjithatë, për dallim nga herat e tjera Krasniqi nuk ka dashur të flasë para mediave rreth kësaj çështje. I vetmi që foli ishte nënkryetari i Kuvendit nga Vetëvendosje, Glauk Konjufca. Sipas Konjufcës, sa i përket imunitetit nuk ka shumë kundërthënie mes “Ligjit për përgjegjësinë e deputetit” dhe Kushtetutës së Kosovës, ngaqë sipas tij, këto dokumente e specifikojnë shumë mirë deri ku e përfshihet fusha e imunitetit të deputetit.

Kërkesa e EULEX-it fokusohej në miratimin e një rezolute e cila do të detyronte qeverinë t’i drejtohet gjykatës kushtetuese me një kërkesë për sqarimin e çështjes së imunitetit të deputetëve kosovarë.

EULEX-i së fundi nuk ka mundur të zbatojë një urdhërarrest për deputetin nga radhët e PDK-së Fatmir Limaj, të cilin e rëndojnë akuza për krime lufte.

Top Channel