Shembja e Piramidës, kundër edhe intelektualë nga Kosova

16/07/2011 17:00

Votimi i Parlamentit shqiptar për rrënimin përfundimtar të Piramidës në
Tiranë ka nxitur reagime të reja në kryeqytetin kosovar.

Pas akademikut Rexhep Qosja kundër shembjes së Piramidës reagon ashpër edhe shkrimtari dhe profesori universitar Agim Vinca.  Në një intervistë për Top Channel profesor Vinca thotë se kuvendi i Shqipërisë dënoi me vdekje një objekt monumental, në zemër të kryeqytetit shqiptar.

“Parlamentarët aktualë e kanë bërë veshin të shurdhër. Kurrë nuk është vonë për t’i thirrur arsyes, kurrë nuk është vonë që një vendim që mund të ketë pasoja edhe ashtu për realitetin e konfrontuar politik dhe shumë të lëkundur të Shqipërisë të ndryshohet dhe te gjendet një zgjidhje tjetër më e përshtatshme, e cila edhe do ta shënonte mirë 100-vjetorin e shpalljes së pavarësisë, por edhe do ta ruante një objekt, që sipas specialistëve ka vlera arkitektonike”, tha Vinca.

Profesor Vinca thotë se politikanët shqiptarë janë dehur nga vetëbesimi që u jep pushteti. Sipas tij, ideja e shembjes së të “të vjetrës” dhe e “luftës me fantazmat”, pushtetarët e Tiranës nuk duan ta dëgjojnë, e aq më pak ta marrin parasysh zërin e arsyes dhe forcën e argumentit.

“Tirana është kryeqytet jo vetëm i Shqipërisë, por në njëfarë mënyre i të gjithë shqiptarëve. Ne na lidhen fije të shumta emocionesh dhe kujtimesh dhe mendoj se oligarkia politike e Tiranës duhet ta merrte parasysh opinionin publik, që me sa di unë është shprehur kundër rrënimit të Piramidës, sepse kjo është një sindromë e trashëguar nga kaluara, një sindromë në thelb jo demokratike dhe është një lloj vandalizmi kulturor dhe politik”, tha Vinca, duke theksuar se vetë historia do t’i gjykojë ata që kanë hedhur një hap të tillë.

Kundërprishjes së Piramidës shprehet edhe ekspertja e ceshtjeve urbane, Rozafa Basha.

‘Mendoj që ai vendim është i gabuar. Eshtë një pjesë e pandashme e peisazhit dhe hapësirës aty ku është në Tiranë dhe e organizon shumë mirë hapësirën përreth prej qytetarëve të Tiranës. Një objekt që po planifikohet të ndërtohet, është cdo gjë përvec hapësirës politike. Nuk do ta lejoja sakrifikimin e një hapësire publike, për një objekt shtetëror që tashmë ekziston, por mund të ketë vende të tjera për ta bërë”, tha Basha.

Kohë më parë kundër prishjes së Piramidës kishte reaguar ashpër edhe akademiku Rexhep Qosja. Ai pati vlerësuar se ky është shembulli unik dhe veprimi më i shëmtuar që do të mund të ndodhte në historinë e një shteti dhe një populli që pretendon ecjen drejt Evropës.

 

Top Channel