Presidenca: Gjyqtarët s’janë ankuar tek ne

17/07/2011 10:25

Letra e anëtarëve të Kolegjit Zgjedhor drejtuar Presidentit të Republikës, Bamir Topi, mbetet e pakonfirmuar. Burime zyrtare nga ky institucion deklaruan dje se “në adresë të institucionit nuk ka mbërritur asnjë letër nga gjyqtarë të Kolegjit Zgjedhor”.

Kështu, vetëm një ditë pas publikimit të lajmit rreth kërkesës për reagim të organeve kryesore kushtetuese që kanë në tagër veprimtari dhe marrëdhënie me gjyqësorin, Presidenca mohon që zyrtarisht diçka e tillë të jetë depozituar pranë saj.

Sipas informacioneve në fjalë, të cilave iu referohet gazeta “Shqip”, letra e gjyqtarëve është drejtuar në disa zyra me rëndësi ku përveç Presidentit të Republikës, figurojnë edhe ato të Konferencës Gjyqësore, Këshillit të Lartë të Drejtësisë, zyrës së Komisionit Europian dhe ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Konfirmimi me “Jo” i Presidencës përbën një lajm më vete për nga rëndësia, që nuk justifikohet dhe aq nga elementi protokollar.

Top Channel