“Statusi, Shqipëria pak shanse”

17/07/2011 15:50

Siç edhe Top-Channel paralajmëroi dy ditë më parë, ambasadori i Danimarkës në Shqipëri, Karsten Ankjaer Jensen, në një intervistë për revistën MAPO, shpreh nevojën që komuniteti ndërkombëtar t’ja thotë troç gjërat shqiptarëve, lakuriq ashtu edhe siç janë.

Ambasadori danez thekson se vetë shqiptarët mund ta bëjnë Shqipërinë një histori suksesi europiane dhe jo të presin se çfarë deklaratash për problemet e tyre japin diplomatët. Sipas tij, janë votuesit shqiptarë ata të cilët e kanë zgjedhur këtë klasë politike dhe se zgjedhjet nuk përmbushën standartet europiane.

“Ajo që mund të bëjmë ne dhe po bëjnë ndërkombëtarët është të japim këshilla, ndihmë dhe të këmbëngulim në përmbushjen e angazhimeve të marra më parë. Nëse politikanët dhe populli shqiptar nuk dëshirojnë të veprojnë sipas këshillave tona apo të përdorin ndihmën në mënyrë efikase, atëherë me të vërtetë që nuk na mbetet shumë për të bërë për t’i shtyrë gjërat përpara. Përfundimi im pas tre vitesh këtu është se duhet thënë e vërteta lakuriq që të ndihmosh realisht. Edhe nëse rezikon që ndoshta të ofendosh të zotin e shtëpisë”, shprehet Jensen.

Për ambasadorin Jensen një prej këtyre të vërtetave është keqpërdorimi i 40 miljon euro fondeve të takspagusve europianë të dhëna për vënien në eficencë të administratës publike për të cilat, me keqardhje sipas ambasadorit, vërehet se nga administrata publike janë larguar njerëz të kualifikuar, të zëvëndësuar me militantë. Këtë ai e ilustron me marrjen të 20% të pozicioneve publike nga LSI, pjesë e koalicionit qeveritar.

“Shqipëria ka pak ose apak shanse që përmbushë kriteret për antarësim në BE, ndoshta as për statusin e kandidatit në një afat të shkurtës apo të mesëm. Në botën e sotme, një sektor publik efektiv është thelbësor për të ecur përpara. Kjo vjen nga mentitaliteti se fituesi i merr të gjitha dhe nocioni se marrja e pushtetit dhe e opozitës në  çdo nivel është i barabartë me fitimin e një llotarie. Kjo praktikë po e dëmton seriozisht të ardhmen e Shqipërisë ”, shton ambasadori.

Për Mapo, ambasadori Danez komenton edhe zgjedhjet e 8 Majit: “Në një demokraci të pjekur dhe të vërtetë është e paimagjinueshme të ndryshohen rregullat pas faktit të ndodhur. Shpresoj që të gjitha partitë të kenë mësuar nga procesi dhe të përqëndrohen tek e ardhmja. Ka kaq shumë rrezik për Shqipërinë këtë moment  dhe them sado e pandjeshme të tingëllojë  kjo tek ata që ndjehen të mashtruar, Shqipëria si komb nuk mund të lërë të ardhmen e vet pezull për shkak të dështimit demokratik në një raund zgjedhjesh për kryetar bashkie”

Ambasadori Jensen shprehet qartë dhe prerë duke iu bashkuar zërave kundër prishjes së piramidës:

“Piramida është një pikë referimi për Tiranën. Është unike njësoj siç është Kulla Eifel në Paris, Piramidat në Egjipt, Qyteti i Ndaluar në Pekin apo Kronborg në Danimarkë. Është një prej atraksioneve të Shqipërisë, të paktën në kohën kur ishte veshur me atë mermerin e bukur. Është pjesë e historisë së Shqipërisë. E kuptoj përse shumë shqiptarë e shikojnë këtë monument si pjesë e të shkuarës së pakëndshme dhe si një kujtesë që vazhdon, një gjëmb i madh në sy.
Natyrisht kjo nuk është një çështje e imja por jam pasionat dhe besoj se prishja do të ishtë një gabim i një shkalle të madhe për historinë e Shqipërisë. Dikush s’e pëlqen të shkuarën, por dikush tjetër duhet ta respektojë apo t’i afrohet këtij respekti. Kam vërejtur se shumë arkitektë të pasionuar janë shprehur kundra prishjes. Madje edhe kryetari i ri i bashkisë ka folur kundra këtij plani.
Mendoj se është e vështirë të gjesh një vend të civilizuar ku një pikë referimi është vënë në shënjeshtër për tu shkatërruar dhe që ndeshet me kundërshti profesionale, politike dhe kundërshtim publik. Nëse merrni parasysh dhe Top Channel nga këndvështrimi i lirisë së shtypit, duket se është një shembull tjetër ku të paktën fryma e demokracisë nuk vihet në veprim.”

Top Channel