Skëndërbeu mundet 4-0 nga Apoeli

20/07/2011 21:35

Skëndërbeu zyrtarizon eliminimin nga veprimtaria europiane e Champions League, pasi është mundur edhe në ndeshjen e dytë me Apoelin e Qipros, 4-0.

Në total rezultati përfundimtar i dy ndeshjeve të para europiane për Skëndërbeun, kampion i Shqipërisë, është 6-0 pasi edhe në takimin e parë ata humbën në Korcë me rezultatin 2-0.

Në ndeshjen e dytë të transfertës në Qipro, sërish korcarët kanë mundur të rezistojnë 0-0 për 45 minuta, ndërkohë që në pjesën e dytë kanë pësuar 4 gola, duke filluar me Solarin në minutën e 59-të, më pas Almeida shënon golin e dytë pas 5 minutash e brenda 10 minutave të fundit vendasit shënojnë dy herë të tjera me Adornon dhe Karalambidis.

Kështu është shuar ëndrra e korcarëve të cilët për fatin e tyre të keq u përballën që në raundin e parë eliminator me një skuadër të një niveli shumë më të lartë se ta.

Tashmë, gjithcka i mbetet Skëndërbeut është sistemimi i skuadrës e përgatitja për sezonin e ri të Superligës shqiptare.

Ditën e enjte do të luajnë dhe tre skuadrat e tjera shqiptare për kupën Europa League. Tirana e Vllaznia kanë më shumë shanse për kualifikim falë barazimit 0-0 në takimet e para, respektivisht me Spartak Tërnavën dhe Tunin.

Ndërkohë që Flamurtari duket se shkon në Ceki për të zyrtarizuar eliminimin me Jablonecin që e mundi 0-2 në Vlorë një javë më parë.

Top Channel