Lorik Cana, mes stolit dhe fushës

26/07/2011 13:45

Lorik Cana e ka të vështirë vendin e titullarit te Lacio. Kështu u
shpreh vetëm pak ditë më parë miku i tij i ngushtë, njëkohësisht edhe
drejtor sportiv i lacialëve, Igli Tare.

Dhe një gjë e tillë duket se ka gjasa të rezultojë e vërtetë. Pas asaj pritjeje madhështore në fillimin e transferimit të tij, kanë filluar të evidentohen edhe dyshimet e para në lidhje me aftësitë e tij.

Ajo që ka simuluar shumë kritikë që ta vënë në qendër të sulmeve të tyre, ka qenë ndeshja miqësore gjatë fazës përgatitore e luajtur ndaj Sllavias së Pragës, që u mbyllur në barazim 3-3 dhe ku shqiptari nuk u paraqit mirë. Ndërkohë që trajneri Edi Reja vazhdon të eksperimentojë në mesfushë, për të provuar kombinimet më efikase me lojtarët që ka në dispozicion.

Ky repart duket pika më nevralgjike, ku gjërat, sipas protalit shumë pranë Lacios “Cittaceleste.it”, i ka komplikuar pikërisht ekuivoku Cana. Mesfushori konsiderohet në mënyrë të pashpjegueshme nga trajneri Reja si zëvendësi i Ledezmës. Pra shqiptari do të jetë thuajse i detyruar të shpresojë në një dëmtim të kolegut për të mundur të luajë. Sipas “Cittaceleste.it”, karakteristikat e Canës janë: “Muskuj dhe centimetra, ka një fizik të madh dhe mund të garantojë një mur përpara mbrojtjes, ideal për modulin 4-4-2 ose 4-2-3-1, jo për rombin. Për momentin është parë pak dhe në fushë është dëgjuar vetëm zëri i tij. Përkufizohet një lider. Në pritje për ta zbuluar, por ndjenja fillestare është se Matuzalem, Ledezma e Broki, pa folur shumë, dinë të luajnë më mirë”.

Top Channel