F1, Button fiton në Hungari

31/07/2011 15:55

Jenson Button pas fitores në garën për Cmimin e Madh të Kanadasë, rikthehet sërish tek fitorja, këtë herë në Hungari.

Fillimi i garës ishte mjaft agresiv nga të dyja makinat Mclaren, të cilat në start u vendosën menjëherë pas Vettel me Red Bull që u nis i pari pas rezultatit të provave të ditës së shtunë.

Në xhiron e pestë Hamilton merr kryesimin e garës duke lënë pas Vettel. Të njëjtën gjë bën edhe shoku i tij i skuadrës, Jenson Button në xhiron e 14 duke e zbritur kampionin e botës në fuqi në vendin e tretë.

Por strategjia e gabuar e ndjekur nga skuadrat e Mclaren me pilotin Hamilton i kushtoi këtij të fundit vendin e parë në klasifikim. E si të mos mjaftonte kjo, piloti britanik merr edhe një penallti nga komisarët duke u renditur më pas në vendin e gjashtë.

Në xhirot e mbetura Hamilton rikuperon dy pozicione të tjera duke përfunduar garën në vendin e 4.

Për t’u përmendur vlen një incident në xhiron e 25. Renault-i i Heidfeld përfshihet nga flakët pak metra pasi del nga bokset. Ndërhyrja e shpejtë e komisarëve të pistës evitoi përhapjen e mëtejshme të flakëve në makinën Renault.

Pas kësaj gare, klasifikimi për pilotë vijon të mbahet nga Vettel, tashmë me 234 pikë, ndjekur nga Webber me 149 dhe Hamilton me 146 pikë.

Formula 1 rikthehet më 28 gusht në garën për Cmimin e Madh të Belgjikës.

Top Channel