KFOR-i kërkon nga komanda e NATO-s trupa shtesë për Kosovën. Dhe reagimi i NATO-s ka qenë i menjëhershëm. Zëdhënësja Carmen Romero ka thënë se forcave të KFOR-it në Kosovë u është ofruar ndihmë me trupa shtesë për ruajtjen e sigurisë. (UPDATE)

Zyrtarët e KFOR-it nuk kanë dhënë numrin e ushtarëve që do të zbarkojnë këtu, por kanë përmendur se bëhet fjalë për një batalion ushtarësh. Rikthimi i ushtarëve të NATO-s në Kosovë bëhet pas përkeqësimit të situatës në pjesën veriore, ku para një jave shkuan forcat speciale të policisë ndërkaq si kundër reagim, serbet e rebeluar dogjën pikën kufitare 1 në Jarinjë.

Situata vazhdon të jetë e tensionuar, teksa KFOR-i konfirmon se midis serbëve në barrikada ka edhe snajperë. Sidoqoftë, komandanti i KFOR-it, Erhard Byhler i cili po thuaj gjithë kohës po qendron në pjesën veriore tha se gjithcka është nën kontrollin e KFOR-it.
 
“Ju e dini që KFOR-i gjatë fundjavës i ka liruar katër bllokada. Ekzistojnë edhe disa të tjera, mirëpo momentalisht nuk janë krijuar kushtet për t’i lëvizur. Dhe kur të vijë momenti që të jetë e domosdoshme dicka e tillë, atëherë KFOR-i do ta bëjë”, tha komandanti Byhler.
 
I pyetur për vizitat e zyrtarëve serb, Bogdanoviç dhe Stefanoviç ai tha se nuk e di nëse ata janë në Kosovë. Por shtoi se bisedimet duhet të vazhdojnë në të gjitha nivelet.
 
“Unë aktualisht nuk kam informata nëse ata gjenden në Kosovë. Ndërkohë është e vërtetë që gjatë ditës së djeshme nuk jam takuar me ata dhe për arsye procedurale ata nuk janë këtu. Megjithatë, më e rëndësishmja është që bisedat të vazhdojnë në të gjitha nivelet”, tha Byhler.
 
Nga ana tjetër, zyrtarët serbë, Goran Bogdanovic e Borko Stefanoviç u kanë bërë thirrje serbëve lokalë që t’i mbajnë të bllokuara rrugët. Duke iu kundërpërgjigjur deklaratave të zyrtarëve kosovare, shefi i dialogut të Serbisë, Stefanoviç ka thënë se veriu nuk është një geto, por është Serbi.

Top Channel