Futbollisti rebel tërhiqet në moshën 24-vjeçare

08/08/2011 12:00

Javi Poves, futbollisti 24-vjeçar i skuadrës spanjolle Sporting Gijon, ka lajmëruar tërheqjen e tij nga futbolli sepse kërkon të jetojë “një jetë të pastër”.

Poves, i dalë nga ekipet e moshave të Atletico Madrid, debutoi sezonin e kaluar me Hercules në Primera Division. Për çdo futbollist tjetër ky do të ishte hapi i parë drejt objektivave të mëdha, por jo për 24-vjeçarin.

Fillimisht la të habitur drejtuesit e klubit kur vitin e kaluar u kërkoi të mos e paguanin nëpërmjet transferimeve bankare sepse nuk donte që bankat të spekullonin me paratë e tij. Më pas ktheu makinën që i kishte dhuruar klubi sepse nuk ndihej mirë duke pasur dy makina.

“Kam kuptuar që futbolli profesionist është para dhe korrupsion. Është kapitalizëm dhe kapitalizmi do të thotë vdekje. Nuk dua të jetoj në një sistem që bazohet në fitimin e parave nga vdekja e njerëzve në Azi, Afrikë apo Amerikën e Jugut”, ka deklaruar Javi Poves.

Spanjolli ka ndërmend që tashmë të kalojë jetën në vende të pazhvilluara, aty ku nuk ka nevojë për shumë para.

“Kam ndenjur edhe më parë në hotele me 3 euro”, përfundon ish-futbollisti.

Top Channel