ACR propozon takim, minatorët refuzojnë

09/08/2011 14:25

Minatorët refuzuan propozimin e kompanisë ACR për të zhvilluar një takim
ditën e mërkurë, duke i konsideruar si të padrejta kushtet e drejtuesve
të firmës për palën negociatore.

“ACR nuk mund të përzgjedhë përfaqësinë e minatorëve për bisedime. Kërkojmë që takimi të zhvillohet në Bulqizë dhe jo në Tiranë”, mësohet të jenë shprehur minatorët.

ACR propozon takim

Kompania ACR propozon zhvillimin e një takimi të mërkurën në mëngjes me përfaqësues të minatorëve grevistë.

Përfaqësuesit e kompanisë shprehen se duhen nisur bisedimet për t’i dhënë fund situatës së krijuar, pasi e gjithë kjo gjendje shkakton humbje të mëdha si për familjet e minatorëve ashtu edhe për ACR-në.

“Mirëpresim në takim secilin nga 695 punonjësit tanë, por jo persona që nuk kanë lidhje me minierën. Propozojmë një përfaqësi të reduktuar minatorësh me qëllim që takimi të shkojë mirë”, thanë drejtues të kompanisë.

Dështimi i takimit të djeshëm

Kol Nikolla deklaroi për mediat se është tërhequr duke u hapur rrugë negociatave në ambientet e bashkisë së Bulqizës mes palëve, për t’i dhënë fund një greve urie që përkeqëson cdo orë e më tepër jetën e të ngujuarve në thellësi të nëntokës.

Në ambientet ku do të zhvillohej takimi, në të cilin do merrte pjesë dhe kryetari bashkisë Rolanad Keta, si ndërmjetësues në dialogun mes ACR dhe minatorëve, u njoftua se ai ishte jashtë rrethit të Bulqizes për problemet personale.

Dështimi i takimit një ditë më parë mes ACR-së dhe minatorëve, i cili pritej me mjaft interes për t’i dhënë fund grevës së urisë, e cila cdo orë e më tepër rrezikon jetën minatoreve, u cilësua nga kryesindikalisti Nikolla si shakaja e radhës e kompanisë ACR.

Top Channel