Protesta e minatorëve, përplasje me policinë

10/08/2011 09:45

Policia ka ndërhyrë në Bulqizë për të zhbllokuar rrugën e zënë nga
minatorët dhe familjarët e grevistëve, ndërkohë që janë regjistruar
përplasje me forcat e rendit.

Rreth 100 automjete janë në pritje të zhbllokimit të rrugës nacionale në Qafë Buall, të zënë prej disa orësh prej protestuesve.

Minatorët vendosën që të marrin këtë masë të re proteste pas dështimit të takimit me përfaqësues të kompanisë ACR.

Deshton takimi

Minatorët refuzuan propozimin e kompanisë ACR për të zhvilluar një takim ditën e mërkurë, duke i konsideruar si të padrejta kushtet e drejtuesve të firmës për palën negociatore.

“ACR nuk mund të përzgjedhë përfaqësinë e minatorëve për bisedime. Kërkojmë që takimi të zhvillohet në Bulqizë dhe jo në Tiranë”, mësohet të jenë shprehur minatorët.

ACR propozon takim

Kompania ACR propozoi zhvillimin e një takimi të mërkurën në mëngjes me përfaqësues të minatorëve grevistë.

Përfaqësuesit e kompanisë shprehen se duhen nisur bisedimet për t’i dhënë fund situatës së krijuar, pasi e gjithë kjo gjendje shkakton humbje të mëdha si për familjet e minatorëve ashtu edhe për ACR-në.

“Mirëpresim në takim secilin nga 695 punonjësit tanë, por jo persona që nuk kanë lidhje me minierën. Propozojmë një përfaqësi të reduktuar minatorësh me qëllim që takimi të shkojë mirë”, thanë drejtues të kompanisë.

Top Channel