Kamionët e kromit vijojnë të dalin nga Bulqiza

11/08/2011 08:20

Ndërsa minatorët e kompanisë ACR gjenden në grevë, kamionët e ngarkuar
deri në majë me krom vijojnë të transportojnë mineralin më të
rëndësishëm të Shqipërisë nëpër Qafën e Buallit në drejtim të Elbasanit
apo portit të Durrësit.

Në kompleksin minerar të Bulqizës aktualisht punojnë zyrtarisht 26 kompani të ndryshme, të cilat kanë nga 10, 20 apo më shumë minatorë dhe vijojnë të nxjerrin krom. Këto prodhues të vegjël, ku kanë ndodhur edhe pjesa më e madhe e aksidenteve fatale në punë gjatë viteve të shkuara, nuk kanë grevë. Prodhimi aty vijon duke përfituar edhe nga një rritje e kërkesës si pasojë e bllokimit të minierës më të madhe nga greva. Sipas “Shqip”, vijojnë punë në të njëjtën kohë edhe tregtarët piratë, të cilët punësojnë njerëz me mëditje për të grumbulluar krom nga malet me materiale që para kohës së komunizmit u hodh nëpër shpate.

Të varfërit grumbullojnë krom familjarisht duke kërkuar nëpër këto male, pjesë minerali të pasur që ka shpëtuar nga seleksionimi paraprak. Pagesa e tyre varion nga 3 mijë në 7 apo 8 mijë lekë për ton krom të mbledhur. Shpesh, në luftën e ashpër për kontrollin e burimeve, policë nga Tirana janë marrë për të përzënë të varfrit që kërkojnë krom, si pasojë e ndërhyrjeve të kompanive zyrtare apo gjysmëzyrtare.

Një pjesë e kromit eksportohet për në Kinë nga Durrësi, por një pjesë tjetër blihet nga ACR, e cila e kthen në Ferokrom në impiantin e saj në Elbasan, gjë që ia rrit ndjeshëm vlerën. Shqipëria ka burime të tjera kromi në Kukës dhe Tropojë, por këto burime japin mineral jo aq të pasur sa Bulqiza, i cili është një burim i rrallë në botë, pasi ka përmbajtje kromi 30-45 për qind, ndërsa në të ashtuquajturën zona D, nxirret mineral me përmbajtje 55 për qind.

Top Channel