Cabanas, më i fortë se plumbi

11/08/2011 15:25

Asnjë nuk e besonte se Salvador Cabanas, sulmuesi paraguajan i cili u godit me plumb në kokë një vit e gjysmë më parë, do të rikthehej të luante futboll.

Por, kjo gjë ndodhi ditën e djeshme gjatë miqësores që Paraguaji luajti me klubin America.

“Do të kthehem të luaj futboll”, pati deklaruar Cabanas pasi i mbijetoi mrekullisht atentatit. Ai nuk u demoralizua as kur mësoi se do të duhej të jetonte me një plumb në kafkë.

Dhe pas një periudhe të gjatë rehabilitimi prej 1 viti, futbollisti është rikthyer në fushë duke luajtur 20 minuta në ndeshjen e djeshme miqësore Paraguaj-Club America, që përfundoi me rezultatin 0-0.

“Gjithmonë e kam ditur që do të rikthehesha. Jam shumë i emocionuar sepse kam realizuar ëndrrën time më të madhe”, u shpreh Cabanas pas ndeshjes.

Gjithsesi, plumbi që gjendet në kafkë mund të pengojë rikthimin e plotë të tij në futbollin profesionist.

“Nuk ka rrezik që plumbi të lëvizë, por fjala e fundit i përket një specialisti të neurokirurgjisë”, është shpehur Alfonso Diaz, mjeku që ka ndjekur futbollistin hap pas hapi në procesin e rekuperimit.

Top Channel