“Champions”, luhen play off-et e para

16/08/2011 22:40

U luajtën ndeshjet e para play off të Ligës së Kampioneve. Kryendeshja e ditës, ajo mes Arsenalit dhe Udinezes u mbyll me fitoren minimale të topcinjve, 1-0.

Takimi i luajtur në Londër u vendos nga një gol i shënuar që në minutën e 4 nga Ualkot. Në minutat në vazhdim vendasit u përpoqën të dyfishojnë rezultatin por pa mundur ta gjejnë rrjetën, ndërkohë që skuadra e Udinezes rrezikoi me kundërsulm disa herë për të barazuar rezultatin.

Në këtë takim, shiriti i kapitenit për skuadrën e Arsenal, pas largimit të Fabregas për tek Barcelona, mbahej nga holandezi Van Persi.

Në ndeshjet e tjera, Bate Borisov barazoi 1-1 me Shturmin e Grazit, çekët e Viktoria Plzen fituan në transfertë 3-1 ndaj Kopenhagenit vendas, po 3-1 fitoi edhe Lion në fushën e tij ndaj Rubin Kazan ndërsa Tuente dhe Benfika u ndanë në barazim 2-2.

Të mërkurën luhen ndeshjet e tjera të kësaj faze ku interes paraqet Bajerni i Mynihut që luan ndaj Zyrihut dhe Vilareali që luan ndaj Odenses.

Top Channel