Federata: Zero tolerancë për përgjegjësit

20/08/2011 10:45

Episodet e dhunës që u regjistruan në finalen e Superkupës kanë sjellë edhe reagimin e Federatës Shqiptare të Futbollit.

Institucioni që drejton sportin e top-këmbës ka bërë të ditur se ndaj shkaktarëve nuk do të ketë asnjë tolerim. “FSHF është thellësisht e shqetësuar për ngjarjet në ndeshjen e Superkupës së Shqipërisë ndërmjet Skënderbeut dhe Tiranës, që nuk kanë asnjë lidhje me futbollin dhe frymën ‘fair play’. Dënojmë ashpër ideatorët dhe sigurojmë opinionin futbolldashës se kjo ngjarje do të merret në shqyrtim nga organet e Disiplinës dhe rregullorja do të zbatohet pa asnjë lëshim. Në të njëjtën kohë, federata angazhohet për të bërë përpjekje më intensive me klubet, policinë, sportdashësit dhe gjithë faktorët e tjerë për shmangien e situatave të tilla në të ardhmen”, – lexohej në një deklaratë për shtyp.

Më tej, FSHF ka hequr përgjegjësinë nga vetja për organizimin e dobët (hyrja e tifozëve rivalë në të njëjtën portë dhe pozicionimi i grupimeve “ultras” pranë njëri-tjetrit), por ka akuzuar në mënyrë të drejtpërdrejtë mbështetësit e Tiranës si shkaktarë të trazirave jashtë dhe brenda stadiumit. Federata theksonte: “Përpara fillimit të ndeshjes, një grup tifozësh të Tiranës kanë tentuar të hyjnë pa bileta në vendin e caktuar për ta në tribunën përkarshi. Më pas, një pjesë e tyre që ndodheshin në tribunë, në vendin e përcaktuar sipas marrëveshjes së klubeve, dolën jashtë stadiumit duke u bashkuar me grupin tjetër, të cilët këmbëngulnin të hynin në stadium pa bileta”. Tifozët bardheblu janë cilësuar edhe shkaktarë për ndërprerjen pasi loja kishte nisur, ku sipas FSHF-së, ata “hodhën në fushë dhe drejt tifozëve korçarë fishekzjarrë dhe gaz lotsjellës. Kjo u shoqërua më pas me invadimin e fushës nga tifozë të dy palëve”, ndërsa nuk citohej asgjë për dhunën dhe sendet e forta të mbështetësve korçarë ndaj lojtarëve të Tiranës.

Top Channel