Vlera e Superiores përgjysmohet në 7 muaj

22/08/2011 22:00

Rritet numri i skuadrave, por bie cilësia. Flamurtari është skuadra më e shtrenjtë. Dinamo thuajse e shpërbërë, mbyll klasifikimin.

Kategoria Superiore vazhdon të humbasë shkëlqimin. Përveç shtyrjes së kampionatit, që erdhi për shkak të moslicencimit të 9 klubeve dhe 3 stadiumeve, kriza është e dukshme te financat. Në harkun e 7 muajve, ose më saktësisht nga merkatoja e janarit deri në merkaton e verës, vlera e aktivitetit elitar të futbollit në Shqipëri është përgjysmuar. Shifrat flasin qartë: nëse në janar 2011 vlera e Superiores përllogaritej në 52 milionë e 150 mijë euro, tashmë ajo ka zbritur në afro 28 milionë e 100 mijë euro (24 milionë e 900 mijë sterlina). Këtë e tregon faqja e specializuar e financave në botën e futbollit, “transfermarkt”.

Edhe pse për sezonin 2011-2012 numri i skuadrave është rritur në 14 (nga 12 që konkurronin gjatë sezonit të kaluar), cilësia ka rënë në mënyrë të dukshme. Klubet shqiptare janë në një krizë të dukshme financiare, dhe kjo dallohet lehtësisht, mbi të gjitha te disa prej emrave më të rëndësishëm si Dinamo apo Vllaznia. Në rënien e vlerës së Superiores ka ndikuar mbi të gjitha “dobësimi” i kontingjentit të skuadrave pretendente. Aktualisht, ekipi më i kushtueshëm i kampionatit është Flamurtari. Vlera e talenteve vlonjate dhe blerjet e goditura të klubit kanë bërë që në letër kuqezinjtë të jenë sërish pretendentë për titullin. Me afrimet e Hysës, Abraham, Shtubinës e Arbërit, kur kanë mbetur edhe 10 ditë nga mbyllja e merkatos, vlera e Flamurtarit përllogaritet në afro 3 milionë e 450 mijë euro. Pavarësisht merkatos bombastike dhe blerjeve të mëdha, korçarët renditen të dytët. Me afrimin e Ivan Gvozdenoviç –  në merkato mbrojtësi serb kushton afro 150 mijë euro – vlera e ekipit korçar u ngjit në 3 milionë e 275 mijë euro. Nëse, ashtu siç është parashikuar, realizohet edhe një blerje cilësore, skuadra e Duros do t’ia marrë stafetën Flamurtarit. Megjithatë, duhet theksuar se në krahasim me shtatë muaj më parë, vlera e Skënderbeut është përgjysmuar: me ndërhyrjet e fuqishme të presidentit Zeqo, në janar skuadra kushtonte rreth 6 milionë euro. Largimet e shumta kanë sjellë edhe përgjysmimin e vlerës së Tiranës. Lojtarët bardheblu të marrë së bashku në merkato kushtojnë 2 milionë e 475 mijë euro dhe aktualisht 24 herë kampionët e Shqipërisë renditen të tretët mes ekipeve më të kushtueshme në Superiore. Gjithsesi, në Superkupë ata treguan në fushë se pretendojnë titullin. Në mënyrë surprizë, në vendin e katërt dhe të pestë janë Kastrioti (2 milionë e 475 mijë euro) dhe Kamza (2 milionë e 450 mijë euro). Me largimin e presidentit Fushaj dhe disa lojtarëve, vlera e Vllaznisë ka rënë nën 2 milionë euro, ndërsa pas saj vijnë Tomori (1.8 milionë), Bylisi (1.7), Shkumbini (1.7), Laçi (1.6), Pogradeci (1.5), Apolonia (925 mijë euro) dhe në fund renditet Dinamo me pak mijëra euro, duke vlerësuar vetëm talentet e akademisë, pasi blutë nuk kanë më lojtarë.

Top Channel