Vettel rikthehet tek fitorja

28/08/2011 15:45

Sebastian Vettel me Red Bull rikthehet të fitorja në Formula 1. Piloti gjerman triumfoi në garën për Cmimin e Madh të Belgjikës.

Rosberg ishte surpriza e startit të garës. Piloti gjerman i Mercedesit bëri një nisje përfekte duke marrë kryesimin e garës e duke lënë pas Vettel. Ky klasifikim zgjati vetëm 3 xhiro, kur Vettel parakaloi bashkëkombasin e tij.

Por në xhiron e 6, Vettel detyrohet të kryejë një pit stop për të ndërruar gomat duke dorëzuar kryesimin e garës.

Episodi që ndoshta vendosi fatet e garës ndodhi në xhiron e 13 kur Kobayashi, prek lehtë makinën e Hamilton në një tentativë për parakalim ndaj britanikut të McLaren, që kryesonte garën. Prekja rezultoi fatale për Hamilton që përplaset me bordurat rrethuese të pistës duke braktisur garën.

Pas kësaj kryesimi i garës mbahet për disa xhiro nga Alonso. Ferrari e pilotit spanjoll pësoi një avari duke mos garuar në maksimumin e saj. Nga kjo përfitoi fillimisht Vettel që zuri vendin e parë, më pas Webber, në vendin e dytë dhe Button në vendin e tretë duke e spostuar Alonson në vendin e katërt.

Pas kësaj gare Vettel thellon kryesimin me ndjekësin më të afërt duke shkuar në 259 pikë, ndjekur nga Webber 167 dhe Alonso 157.

Formula 1 rikthehet pas dy javësh në garën për Cmimin e Madh të Italisë në Monza.

Top Channel