U-21, Shqipëria mund 4-3 Moldavinë

06/09/2011 20:05

Kombëtarja shqiptare e Shpresave ka mundur me rezultatin 4-3 kombëtaren U-21 të Moldavisë, në ndeshjen e vlefshme për eliminatoret e Euro 2013 të 21-vjeçarëve.

Të shtatë golat e takimit që u zhvillua në stadiumin e Korçës u shënuan në pjesën e dytë.

Ionita kaloi në avantazh moldavët në minutën e 54, por 5 minuta më pas është Sadiku ai që barazoi shifrat në 1-1.

Ionita sërish i dha avantazhin miqve në minutën e 61 pasi shndërroi në gol një 11-metërsh të akorduar nga arbitri skocez i ndeshjes.

Shpresat tona kundërpërgjigjen dhe brenda 5 minutash (75’, 79’ dhe 80’) përmbysin rezultatin me golat e Brahimit, Telushit dhe sërish Sadikut, duke i çuar shifrat në 4-2.

Në minutën e 89’ Ginsari ngushton sërish diferencën, por nuk ka më kohë dhe Shqipëria e 21-vjeçarëve merr tre pikët e para në grupin e saj pas 2 ndeshjesh të zhvilluara.

Shpresat gjenden në grupin 6 të eleminatoreve së bashku me Rusinë, Portugalinë, Poloninë dhe Moldavinë. Pas dy ndeshjesh të zhvilluara Shqipëria ka 3 pikë, po aq sa edhe Rusia, Portugalia dhe Polonia, por rusët dhe portugezët kanë luajtur vetëm një ndeshje.

Moldavia renditet e fundit me 0 pikë në 2 ndeshje.

Top Channel