Maradona: Mourinho është më i miri

12/09/2011 14:10

Diego Armando Maradona ka lavdëruar sërish trajnerin e Real Madrid, Jose Mourinho. Trajneri aktual i ekipit Al Wasl theksoi se tekniku portugez është më i miri në botë.

“Nga çdo ndeshje që luan Real Madrid mund të nxjerrësh mësime dhe mund të dallosh që Mourinho është trajneri më i mirë në botë. Nuk ka diferencë të madhe me trajnerë të tjerë të shquar, por është më i miri”, deklaroi legjenda e futbollit botëror.

Maradona dhe Mourinho kanë një marrëdhënie shumë të mirë me njëri-tjetrin. Mjafton të kujtojmë se në dy vizitat e tij të fundit në Madrid, ish-futbollisti argjentinas shkoi për të parë stërvitjen e Real Madrid dhe ka biseduar gjatë me “Special One”.

Gjithashtu, Maradona foli edhe për dhëndrrin e tij, futbollistin Sergio Aguero, i cili është larguar nga Atletico Madrid për tek Machester City.

“Aguero po luan në skuadrën e duhur. I kisha thënë që të shkonte në një skuadër që luan në Ligën e Kampioneve dhe tashmë do të ketë mundësi të shfaqë të gjithë talentin e tij”, theksoi Maradona.

 

Top Channel