Kupa e Botës, Brazili nis count down-in

17/09/2011 10:05

Brazili ka nisur numërimin mbrapsht për Kupën e Botës 2014, edhe pse
duhen ende 1 mijë ditë para fillimit të turneut më të madh të futbollit.

Presidentja Dilma Rousseff i dha nisje count down-it në një stadium në Belo Horizonte, përkrah legjendës së futbollit Pele, që është dhe ambasadori i Brazilit për Kupën e Botës.

Zonja Rousseff premtoi se stadiumet e reja dhe përmirësimet e tjera në infrastrukturë do të jenë gati në kohë, pavarësisht vështirësive të shumta dhe vonesave.

Turneu do të hapet më 12 qershor të vitit 2014. Deri atëherë Brazili duhet të ndërtojë ose ristrukturojë 12 stadiume.

Shumë prej tyre janë mbrapa me planin për shkak të buxhetit. Ndërsa në raste të tjera, punëtorët e ndërtimit kanë qenë në grevë, përfshirë ata të stadiumit legjendar Maracana në Rio de Zhaneiro, ku do të luhet finalja, dhe atë të Belo Horizonte, ku presidentja nisi dhe numërimin mbrapsht.

Punët për ndërtimin e stadiumit të ri Itaquerao në San Paolo, ku mendohet të luhet ndeshja e parë, filluan vetëm në muajin maj.

Brazilit i duhet gjithashtu të bëjë ndryshime rrënjësore në infrastrukturë, si rrugët dhe terminalet e aeroporteve, në mënyrë që tifozët të mund të lëvizin lehtë për në 12 vendtakimet.

Ndryshimi i infrastrukturës është gjithashtu i nevojshëm edhe për t’i bërë ballë kërkesës së ekonomisë në zhvillim të Brazilit dhe rritjes së numrit të familjeve të klasës së mesme.

Top Channel