Azotiku i Fierit shkrihet pa tender

23/09/2011 20:15

Më mijëra ton metale, çelik dhe metale me ngjyrë janë hequr brenda një
kohe rekord nga Uzina e Azotikut në Fier, uzina e re e uresë që punoi
vetëm 6 muaj. Ky operacion po realizohet pas një ankandi të anuluar nga
Agjencia e Prokurimit Publik.

Por pavarësisht se tenderi u anulua, autoriteti shitës, në këtë rast, Ministria e Ekonomisë, ka lidhur një kontratë në dukje me kompaninë “Kurum International”. Në fakt mësohet se persona të tjerë kanë shfrytëzuar dokumentet e kësaj kompanie për të blerë skrap me cmim disa herë më të ulët se sa ai që presupozohet që “Kurum” ua blen personave që në fakt janë shfrytëzuesit realë të kontratës së skrapit.

Cmimi është mesatarisht 9.6 lekë për kilogram, ndërsa “Kurum” në treg e blen skrapin për të paktën 40 lekë kilogrami. Për ditë të tëra, mjetë të rënda kanë punuar në këtë zonë industriale për të marrë metale. Pas disa javë pune në uzinë nuk ka mbetur më asgjë.

Por si qendron çështja për të cilën së fundmi edhe prokuroria ka nisur hetimet?

Në 6 qershor të këtij viti Agjencia e Prokurimeve Publike njoftoi hapjen e procedurës së ankandit për shitjen e çelikut të zakonshëm, çelik inoks, bakrit dhe aluminit në uzinën e azotikut me një vlerë prej 23.9 milion lekë pa TVSH. Ankandi do të zhvillohej në këtë uzinë më datë 28 qershor të vitit 2011 ku morën pjesë katër kompani nga të cilat më datë 12 korrik agjencia nxorri njoftimin se 3 u skualifikuan dhe fitues u shpall “Kurum International”, që ofroi rreth 24.6 milion lekë pa TVSH.

Zyrtarisht thuhet se është kjo kompani, por dyshimet janë se është dikush tjetër që po realizon këtë mbledhjet të skrapit. Dyshimet lindën pasi një kompani tjetër që ofroi mbi 50 milion lekë pa TVSH u skualifikua nga tenderi. Kompania në fjalë u ankua në Komisionin Tenderues, por pavarësisht ankesës, fituesi u shpall. Autoriteti Shitës bëri më datë 18 korrik njoftimin për shpalljen e fituesit.

Kompanitë humbëse vazhduan ankimimin në Agjencinë e Prokurimeve më datë 19 korrik dhe në datë 22 Agjencia njoftoi pezullimin e procedurave të ankandit me arsyetim se Autoriteti Shitës kishte shkelur ligjin për ankandin publik, ku thuhet se me marrjen e ankesës, Autoriteti Shitës pezullon procedurat deri në shqyrtimin e ankesave dhe nxjerrjen e një vendimi para përfundimit të afatit.

Agjencia e Prokurimit Publik me shkresën e datës 22 korrik, nënshkruar nga drejtoresha Klodjana Cankja, vendosi gjobë 100 mijë lekë titullarit të Autoritetit Shitës dhe 50 mijë lekë për anëtarët e komisionit për tenderin. Në fund agjencia kujton se kontratat e lidhura para shqyrtimit administrativ janë paligjshme.

Por pavarësisht këtij vendimi, në terren puna vazhdoi dhe kjo detyroi kompanitë që u skualifikuan të bëjnë padi në Prokurorinë e Tiranës me akuzën e shkeljes së barazisë në ankand. Kallëzimi penal është paraqitur më datë 31 korrik. Ndëkohë, në azotik, në mënyrë të dyshimtë nisi puna për marrjen e metaleve.

Një tjetër pikë që shton dyshimet është se tenderi u zhvillua për 1.300 ton skrap kur në fakt mendohet se sipas inventarit, azotiku përmban rreth 6 mijë ton.

Sipas dëshmive, policia ka ndaluar disa herë kamionët me metale dhe persona shoqërues, por më pas i ka lëshuar. Kjo shton dyshimet se njerëzit që po shfrytëzojnë azotikun ndoshta kanë edhe mbështetje politike në nivel lokal dhe qendror.

Tashmë në Azotikun e Fierit, në uzinën e re të uresë nuk ka mbetur më asgjë. Automjete të rënda ngarkohen me skrap në ambientet e brendshme dhe gjatë natës dalin nga zona industriale. Kamionët e ngarkuar me skrap shoqërohen vazhdimisht nga një mjet, që mesa duket siguron rrugën e lirë për ta drejt Metalurgjikut të Elbasanit.

Këto janë orët e fundit të Azotikut të Fierit që u shit për 24 milion lekë, një cmim që pretendohet se është shumë herë më i vogël nga vlera reale e metaleve në treg.

Gjithcka në pritje të zhvillimit të tenderit nga e para sipas vendimit të Autoritetit të Prokurimeve Publike që do të shpallë edhe fituesin për skrapin, në një kohë që kur të zhvillohet tenderi i ri, fituesi mund të gjejë azotikun vetëm në hartat e vjetra, pasi kanë mjaftuar më pak se dy muaj që e gjithë ndërmarrja të shkrihet në Elbasan.   

Top Channel