Superliga e Kosovës në ritenderim

24/09/2011 00:10

Ndeshja Vëllaznimi –Prishtina, direkt në Supersport Kosova. Me këtë transmetim filloi gjithçka. Deri në atë ditë futbolli i Kosovës ishte i harruar nga të gjitha mediat kosovare.

Kjo ndeshje vetëdijësoi të gjitha mediat të cilat e kishin injoruar futbollin e Kosovës me vite të tëra. Dhe pas këtij ndikimi të fuqishëm, Federata e Futbollit të Kosovës nuk pati rrugëdalje tjetër vecse të shpall tender për transmetimin e Raiffeisen Superligës.

Në këtë ditë u pa qartë serioziteti i mediave kosovare, asnjë cent ofertë nuk pati RTV 21, një media tjetër nuk ofertoi fare, pasoi RTK me 61 mijë euro i përcjellur nga KosovaPress shumë ambicioze me 77 mijë euro. Ndërsa Kompania Digiworks arriti shumën prej 86 mijë euro, por me TVSH.

E oferta e DigitAlb ishte 80 mijë euro pa TVSH dhe veç asaj financiare e rëndësisë së veçantë ishte promovimi i Superligës së Kosovës në kanalet e platformes DigitAlb, prodhimi dhe transmetimi i spoteve televizive të cilat financiarisht mund të konvertohen në një vlerë prej rreth 50 mijë eurosh. Plus organizimi i një turneu spektakolar ndërmjet dy klubeve kosovare dhe atyre nga Shqipëria.

Federata vendos që ofertat duhet të hidhen në ritenderim. Dhe DigitAlb tërhiqet sepse është fitues moral, ligjor dhe financiar i tenderit të 16 shtatorit.  

Me vendimin e së premtes Federata dëshmoi joseriozitet në punë, konfuzitet dhe na lë të kuptojmë se ka rënë nën presion politik. Hedhja në ritenderim dëshmon qartë pasiguri të plotë dhe mundësi korrupsioni brenda federatës. Është mungesë profesionalizmi dhe procesi mbeti sic edhe është. Federata mbeti pa status dhe e vogël. Procesi tregoi që qëllimi nuk ishte promovimi i Ligës, por përftimi i padrejtë prej saj.

Top Channel