Spanjë, Real dhe Barça kthehen në identitet

25/09/2011 08:40

Reali i Madridit gjen fitoren dhe golat në kampionatin spanjoll

Në ndeshjen e javës së katërt të kampionatit spanjoll skuadra madrilene mundi Rajo Vajekanon me rezultatin tenistik 6-2. Skuadra e drejtuar nga Murinjo nuk e pati të lehtë fillimin e këtij takimi. Kjo sepse pa kaluar mirë minuta e parë, Rajo Vajekano befasoi të gjithë në Bernabeu duke shënuar golin e avantazhit me anë të Miçu.

Megjithatë Reali i Madridit arriti të përmbysë disavantazhin duke shënuar dy herë fillimisht me Ronaldon dhe më pas me Higuain. Në fillimin e pjesës së dytë Kaka’ u pengua në zonë dhe gjyqtari akordoi një 11-metërsh për Realin që u kthye në gol nga Kristiano Ronaldo. Rajo përsëri reagoi dhe shkurtoi diferencën në 3-2 me Miçun që shënoi një dygolësh në këtë ndeshje.

Pak minuta më vonë, Reali mbeti me 10 futbollistë pasi Di Maria la fushën e lojës për shkak të ndëshkimit me karton të kuq nga gjyqtari. Por ky inferioritet numerik nuk u ndje nga Reali i Madridit që shënoi edhe 3 gola të tjerë me Varan, Benzema dhe sërish Ronaldon, që ngjitet në kuotën e 6 golave.

Barcelona mundi me rezultatin e thellë 5-0 Atletico Madridin në Camp Nou. Katalanasit gjetën morën tre pikët falë Vijës, autogolit të Mirandës dhe tregolëshit të Messit.
 
Sevija ndal serinë e rezultateve pozitive te Valencias. Andaluzianët mundën skuadrën e drejtuar nga Unai Emeri me rezultatin 1-0 në një ndeshje ku nuk munguan as kartonat e kuq. Fredrik Kanutè ishte autori i golit të fitores për Sevijën që ngjitet në kuotën e 11 pikëve, ndërsa Valencia mbetet me 10 pikë. Ndërkohë ndeshja tjetër e Primera Division mes Atletik Bilbaos dhe Vijarrealit u mbyll në barazimin 1-1.   

Top Channel