Superliga, dhunë nga tifozët e Tomorit

26/09/2011 08:35

E kishim fshirë nga kujtesa për pak kohë, por tifozët beratas na kanë rikthyer në vëmendje dhunën në stadiumet shqiptare dhe për më shumë në Superligë.

Ultrasit e Tomorit kanë kontestuar fuqishëm duke hedhur edhe sende të forta në fushë kur iu anullua një gol në pjesën e parë, madje e njëjta pamje ishte dhe në të dytën kur Dinamos shënoi gol.

4 persona janë shoqëruar për në polici pas akteve të dhunës në stadium, të cilët do të hetohen në gjendje të lirë nga prokuroria e rrethit Lushnje.

Golat e fitores 2-1 të Tomorit u shënuan nga Shameti dhe Bakiu, ndërkohë që golin e vetëm për blutë e Sejdinit e shënoi Arifaj.

Bylis në krye të renditjes

Bylis përmbys rezultatin ndaj Kamzës, fiton 2-1 dhe ngjitet i vetëm pas tre javësh në krye të Superligës.

Edhe pse janë gjetur në disavantazh pas golit të Ziambos, Bylis barazon rezultatin falë 11-metërshit të Luis Uashington.

Goli i fitores i shenuar nga Abazaj në pjesën e dytë i jep mundësinë ballshiotëve të bëjnë nisjen më të mirë në historinë e tyre në Superligë.

Përmbysje rezultati ka pasur edhe në Shkodër. Vllaznia e Mirel Josës ka mundur 3-1 Teutën në “Loro Boriçi” dhe e sheh veten në vendin e dytë.

Vajushi, Sukaj dhe autogoli i Markoviç i dhanë fitoren shkodranëve.

Tirana nuk fal debutuesit e Pogradecit duke i mundur ata në “Qemal Stafa” me rezultatin 3-1. Bekim Bala (2) dhe Gilman Lika me 11-metërsh ishin autorët e golave për bardheblutë.

Edhe Flamurtari mori fitoren e dytë këtë javë pasi mundi në Vlorë Kastriotin me rezultatin 3-1. Rajoviç, Veliu dhe Hysa ishin autorët e golave.

Flamurtari ndan vendin e tretë së bashku me Tiranën në kuotën e 6 pikëve.

Top Channel