Banorët e Tiranës, të ardhur nga rrethet

29/09/2011 08:05

Dhjetë vjet kohë janë të nevojshme për t’u bërë pjesë e karakteristikave shoqërore dhe ekonomike të kastës së “tiranasve të vjetër”, sipas një studimi të kryer nga Instituti AGENDA me financim të fondacionit “Friedrich Ebert”.

Studimi karakterizon si “tiranas të vjetër” afërsisht një të tretën e popullatës së kryeqytetit që ka jetuar këtu që para viteve ’90 dhe jo tiranasit tradicionalë që gjenden që para Luftës së Dytë Botërore.

“Rezidentët e paintegruar kanë ardhur në qytet, më pak se 10 vjet më parë, banojnë kryesisht në periferi, ose kur jetojnë në zona më qendrore ata jetojnë në apartamente me qira. Rezidentët e integruar kanë më shumë se 10 vjet në Tiranë, ose kanë ardhur nga qytetet e tyre, me të ardhura, ose punësim të sigurt. Jetojnë kryesisht në apartamente, ose shtëpi që i kanë në pronësi. Dhjetë vjet duket të jetë kufiri kohor për integrimin e pjesës më të madhe të qytetarëve që vendosen në Tiranë”, thotë studimi.

Rezidentët e paintegruar duket se janë të kënaqur me gjendjen aktuale të shërbimeve publike në qytetin e Tiranës, nuk ankohen për mungesën e parkimit apo për mungesën e parqeve publike.

“Rezidentët e hershëm dhe rezidentët e integruar (ata që kanë më shumë se 10 vjet që jetojnë në Tiranë) duket se kanë kapërcyer nga kërkesat për përmbushjen e nevojave bazike (rrugë, ndriçim, mbledhje plehrash, furnizim me ujë) në kërkesa më të larta, si përmbushja e nevojës për hapësirat publike (parqe brenda lagjes, bibliotekë etj.) dhe hapësirat që krijojnë mundësi për socializim (kafe, qendra sociale në lagje etj.) duke pasur qëndrimin se këto përbëjnë një faktor të rëndësishëm në jetën e tyre”, thotë studimi.

Top Channel