600 euro gjobë për penalltinë e humbur

05/10/2011 02:35

600 euro gjobë për një penallti të humbur. Kjo është shumë që duhet të paguajë zviceriani me origjinë shqiptare Pajtim Kasami, për 11-metërshin që goditi traversën më 21 shtator kundër Çelsit në Kupën Karling.

19-vjeçari dëshironte të bëhej heroi i mbrëmjes në “Stemford Brixh”, por mori përgjegjësinë që përpara ndeshjes i ishte ngarkuar një tjetër lojtari, Orlando Sasë.

Koha e rregullt së bashku me shtesat përfundoi 0-0. Derbin e Londrës dhe kualifikimin e morën Blutë e Andre Viljas-Boashit, që për ironit të fatit, kaluan pikërisht falë gjuajteve nga pika e bardhë. Sikur të mos mjaftonte zhgënjimi në fushë, ish-lojtari i Palermos në Serinë A, u zhgënjye edhe kur mësoi se trajneri holandez Martin Jol e kishte gjobitur me 500 stërlina (600 euro), pasi ai nuk ishte lojtari i përcaktuar që përpara fillimit të ndeshjes për të goditur penalltinë e mundshme.

Po të kishte shënuar, me siguri që talenti i Zvicrës do t’i kishte kursyer 600 eurot…

Top Channel