Një kombëtare “e arnuar” në Francë

06/10/2011 18:45

Kombëtarja e Shqipërisë u largua mesditën e se enjtes nga hoteli ku ishte grumbulluar në Durrës, për të nisur udhëtimin drejt Parisit, ku do të zhvillohet ndeshja kualifikuese e Euro 2012, përballë Francës.

Takimi që do të nisë të luhet në orën 21:00, në stadiumin “Saint-Denis”, është i parafundit në grup. Për kuqezinjtë, kjo është sfida më e vështirë në grup dhe vjen në momentin më të keq të kombëtares, pas humbjes së turpshme në Luksemburg.

Shanset gjithsesi të vogla për të dalë me një rezultat pozitiv nga kryeqyteti francez, reduktohen edhe më shumë nga mungesa e 6-7 futbollistëve për arsye dëmtimi apo kartonash.

Trajneri Josip Kuzhe ka vendosur ta “arnojë” përqësuesen me disa futbollistë të rinj të ardhur nga skuadra U-21, midis të cilëve edhe vlonjati i Këlnit, Odise Roshi. Me edicionin thuajse të mbyllur, në vendin e parafundit dhe pas asnjë shpresë për ndonjë kualifikim të mundshëm, kroati ka kuptuar se është koha për të provuar lojtarë që mund të shërbejnë për të ardhmen.

Edicioni kualifikues për Shqipërinë do të mbyllet në datën 11 tetor, kur në stadiumin “Qemal Stafa” të mbërrijë përfaqësuesja rumune.

Top Channel