Varrimi i Ramiz Alisë

07/10/2011 19:55

Ceremoniali zyrtar i Republikës së Shqipërisë parashikon 4 tipe ceremonish funebër: ceremoni shtetërore, më e larta, ceremoni zyrtare, ceremoni ushtarake dhe ceremoni zyrtare ose ushtarake jo të plota.

Për ish-drejtuesit kryesorë të shtetit dhe një sërë kategorish të tjera, parashikohet niveli i dytë, ceremoni zyrtare. Në ceremonial shkruhet:

“Ceremonitë funebre zyrtare organizohen për personalitete të cilët nuk janë të përfshirë në pikën 9.5. Shpallja e zisë përcaktohet nga Këshilli i Ministrave. Ceremonia e homazheve organizohet, me lejen e familjes, në institucionin përkatës, ku vendoset arkivoli dhe hapet Libri i Ngushëllimeve. Në orën e caktuar, kortezhi i përmortshëm niset drejt varrezave i eskortuar vetëm nga patrulla policore. Kjo ceremoni nuk përmban bandë, truprojë nderi dhe të shtena me armë. Në varreza marrin pjesë personalitete të larta të shtetit. Pas mbajtjes së përshendetjes së fundit, arkivoli zbret në varr. Pjesëmarrësit qëndrojnë në heshtje deri në fund dhe, pasi përshëndeten me familjen, largohen. Organizimi i ceremonisë dhe shpenzimet e funeralit përballohen nga institucioni përkatës”.

Më parë nga jeta janë ndarë drejtues të lartë, si Hysni Kapo dhe Enver Hoxha, në kohën e diktaturës dhe ish-kryetar i Parlamentit, Pjetër Arbnori, në vitet e demokracisë.

Por kjo është hera e parë që ndahet nga jeta një ish-president. Nuk është e qartë nëse kryeministri Sali Berisha do të respektojë apo jo ceremonialin zyrtar, për t’i rezervuar ish-presidentit Ramiz Alia një ceremoni zyrtare.

Ndonëse publikisht, kryeministri e ka dënuar disa herë rolin që ish-presidenti Alia ka luajtur në ngjarjet e rrëzimit të regjimit komunist në Shqipëri.

Top Channel