Përcillet Ramiz Alia

09/10/2011 00:00

I është dhënë lamtumira e fundit ish-presidentit Ramiz Alia.

Për më shumë se 60 minuta janë zhvilluar homazhe në Qëndrën Kulturore të Ushtrisë të organizuara nga protokolli i shtetit.

Homazheve i janë bashkuar dy ish-kryeministrat Fatos Nano dhe Ilir Meta.  Ndërsa nga Partia Socialiste të vetmit që qëndruan para arkmortit të Ramiz Alisë ishin kryetari i grupit parlamentar socialist Gramoz Ruçi sëbashku me deputetin Namik Dokle.

Këta ishin të vetmit politikanë që i dhanë lamtumirën e fundit ish-presidentit të ndjerë.

Ish-kryeministri Fatos Nano deklaroi: “Shpreh respekt për kontributet e personaliteteve të Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare dhe atyre që ndërtuan vendin pas saj. Shpreh vlerësimin tim për kontributet e Ramiz Alisë në etapat e rëndësishme të historisë sonë.”

Ndërsa historiani Pëllumb Xhufi tha se “Ramiz Alia ka qenë një njeri i thjeshtë, intelektual. Është munduar që edhe në sistemin e diktaturës të sjellë frymë liberale.”

Lideri i LSI-së, Ilir Meta, pas homazheve theksoi: “Mendoj se nderimin më të mirë për çdo figurë politike e bën historia. Dua të vlerësoj figurën e zotit Alia si një figurë e shquar e luftës Antifashiste dhe për përpjekjet e tij për mirëkuptuar aq sa mundej pluralizmin politik. Në fund të fundit është presidenti i parë i Shqipërisë pluraliste, i pari personalitet politik që jep dorëheqjen pasi partia e tij humb zgjedhjet” ka theksuar Meta.

Kortezhi ka lënë Qëndrën Kulturore të Ushtrisë duke u nisur drejt varrezave të Sharrës duke u duartrokitur.

Presidenti i parë shqiptar i shtetit pluralist Alia ndërroi jetë rreth orës 07:00 të ditës së premte në spitalin e Senatoriumit në kryeqytet pasi ka pësuar trombozë ndërsa vuante prej kohësh nga trenboembolia pulmonare dhe për këtë arsye ai ndodhej në spital prej 4 ditësh.

Top Channel